E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vuk Jeremiq e përfundoi mandatin e tij kundërthënës

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq, përfundoi dje mandatin njëvjeçar një mandat përplotë me kundërthënie që nuk i krijoi lavdi as atij e as vendit që e përfaqësonte.

Edhe vetë zgjedhja e tij ishte kundërthënëse, larg një plebishiti, me 99 vota të delegatëve nga 190 sa ishin të pranishëm, kryesisht vendet e bllokut pro rus dhe sllavo-ortodoks, të konferencës islamike dhe ato nga e ashtuquajtura Lëvizje e të Painkuadruarve, ndërsa 85 vota kundër ishin ato të vendeve perëndimore. Shi për këtë, takimet dhe ndërveprimet politike të vendeve perëndimore me Jeremiqin gjatë kryesimit të Asamblesë ishin minimale, për të mos thënë joekzistuese.

Ndër kundërtheniet e para ishte kremtimi i vitit të ri Ortodoks në Kombet e Bashkuara dhe kënga“Marshi në Drina,” që u këndua nga një kor i Serbisë dhe që nxiti reagime sidomos të boshnjakëve, si një këngë nacionaliste e shoviniste që asoconte dhe lartësonte masakrat serbe në Bosnjë. Për këtë më vonë kërkoi falje edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Një tjetër kundërthënie ishte debati i reklamuar me pompozitet nga Jeremiqi Asamblenë e Përgjthshme, ku shtetet e botës duhej të flisnin për rolin e Gjykatës së Hagës mbi krimet e luftës në ish Jugosllavi. Atë e bojkotuan mbi 100 vende dhe organizata të rëndësishme, si vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, SHBA dhe Kanadaja, etj.

Analistë dhe diplomatë në Kombet e Bashkuara e vlerësuan debatin si një përpjekje të Jeremiqit për të minimizuar krimet që kanë kryer serbët në Ballkan në vitet e 90-ta, ndërsa kulmi i gjithë kësaj maskarade ishte hapja e vetë debatit nga vojvoda çetnik gjatë luftës së Bosnjës, presidenti i tashëm i Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

Boshnjakët akuzuan Jeremiqin se ”në luftën e tij private kundër Gjykatës së Hagës, mori të gjitha masat që t’ua mbyllte gojën viktimave ndërsa u dha hapësirë përfaqësuesve radikalë të poltikës serbomadhe të viteve të 90-ta”. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›