E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vulin: Do t’i financojmë serbët edhe pas zgjedhjeve

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka deklaruar se edhe pas zgjedhjeve lokale të nëntorit, Serbia do të vazhdojë të ndihmojë serbet në Kosovë.

"Në qoftë se do të kemi 10 kryetarë komunash (në Kosovë), të cilët janë në listat që përkrah Qeveria e Serbisë, do të mundemi pa kurrfarë problemi të financojmë gjithçka që kemi financuar deri tani dhe nuk do ta humbim asnjë vend pune”, ka thënë Vulin.

Ai ka vlerësuar se Prishtina dëshiron që serbët të dalin në numër sa më të vogël në zgjedhje në mënyrë që në vende udhëheqëse në Bashkësinë e komunave serbe të vendosin njerëzit e afërt me qeverinë e Kosovës.

I pyetur lidhur me sulmin ndaj familjes së Oliver Ivanovicit, i cili ndodhi dje në veri të Mitrovicës, Vulin i ka thënë agjencisë Beta se ende nuk dihet kryerësi i veprës dhe se atmosfera e krijuar shkon në dëm të serbëve në Kosovë, transmeton Telegrafi.

Vulin ka thënë se Serbia nuk e ndryshon politikën e saj në Kosovë, kurse në pyetjen lidhur me ndërrimin e kryetarëve të deritashëm të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se ka ardhur koha që atë punë ta kryejnë njerëz të tjerë.

(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›