E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaterlotë e Berishës

Etërit dhe bijtë e tyre, ja kanë bërë nja tre herë Vaterlonë, Sali Berishës. E kanë tërhequr zvarrë në ’91-shin, ’97-ën dhe ’13-ën; e kanë bërë të qajë; e kanë bërë lolo duke e çuar në komisariate policie ku harronte edhe emrin e babës. Ja kanë marrë pushtetin sa herë e si ja u ka pasur qejfi, me llastiqe e me vota, pasi nuk ka as zemër e as takat ta mbajë. Mblodhi rreth vetes gjithë plehrat e Shqipërisë dhe të historisë, e prapë nuk ja ka dalë ti mundë bijtë, pasi një qeni të rrahur, ja thyejnë dhëmbët që këlysh, siç etërit e bijve kanë bërën me të”.
Kjo është vetëm një përgjigje me të njëjtën monedhë, që do ti ishte dhënë Sali Berishës, nëse e majta do të zgjidhte të njëjtën sjellje si e tija. Është një përgjigje që nuk ja japin, jo nga mosdija a frika, por nuk ja lejojnë vetes të përdorin një gjuhë që duhet të ishte harruar me kohë në politikën shqiptare. I bëjnë nder vetes, dhe ndihmojnë botën mos harrojë kush është zjarrvënësi e rrënuesi i këtij vendi. I kujton njerëzve se me Vaterlotë e tija, Berisha e ka rrënuar dy herë këtë vend, që e lë gjithmonë në tokë e në shpirtra, të copëtuar e varfëruar, si një fushë beteje.
Sali Berishës ju prek erzi, kur Edi Rama në prezantimin e programit, përmendi të vrarët e Gërdecit dhe 21 Janarit. Njeriu që ka sharë përfaqësuesit e popullit nga nënat, motrat, gratë; që ju është futur në krevate e shpifur; një ditë të bukur u zgjua namuzqar. Por Gërdeci dhe 21 Janari, nuk janë peshë në ndërgjegjen vetëm të Edi Ramës. Kryeministri socialist, e kishte për detyrë të përmendte krimet e mëdha të këtyre tetë viteve. Janë gur në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare. Në këto dy krime shtetërore humbën jetën 30 shqiptarë, dikush duke punuar për kafshatën e gojës, të tjerët duke ushtruar të drejtën e shenjtë të protestës. Dhe përgjegjësi direkte për vdekjet e tyre, ka Berisha.
Edi Rama nuk ka pse harxhon kohë me Asadin. Me arabin e Sirisë, nëse i duhet, i qëron hesapet vetë Amerika pa ndihmën e askujt. Edi Rama, duhet të qërojë llogaritë me Sali Berishën, për vrasjen e 30 njerëzve, për vetëvrasjet që kanë bërë të afërmit e tyre nga dëshpërimi, për vrasjen e sensit civik të shoqërisë shqiptare. Edi Rama, duhet të qërojë hesapet me skotën e lolove e rrugaçëve që ka rreth vetes Sali Berisha, që pasi kanë vjedhur pasuritë publike, ju duket vetja të mençur e të fisëm, e ju del koha të shajnë shqiptarët gjithë ditën në “Facebook”. Do të ishte mirë që t’iu krijonte kushtet që kohën ta harxhonin në prokurori dhe paratë e fituara, me avokatët. Ka gjithë mekanizmat në dorë për të vendosur drejtësinë, si dëshmi se ende vazhdojmë ta shquajmë të keqen dhe nuk e ngatërrojmë me virtytin, si nevojë për dizintoksikimin e shqiptarëve. Pasi plagët shpirtërore dhe gropat ekonomike që ka lënë pas Sali Berisha, janë më të këqija se pasojat e gazit kimik të përdorur në Siri.
Edi Rama bën mirë mos tutet para Sali Berishës. E kanë mundur Berishën shqiptarët sa herë kanë dashur, edhe pse i kishte të gjitha në dorë, e bëri sa kishte në dorë kundër tyre, siç pushtuesi më i keq nuk do ta bënte. Njeriu që e kanë zbythur nga pushteti sa herë kanë dashur megjithëse ka pasur shtetin, nuk ju hipën dot në qafë shqiptarëve me një grusht kaçakësh të paditur e të pa nxënë që ka rreth vetes, nëse pushteti i sotëm do të bëjë detyrat e tij. Nuk ja harrojnë Berishës paratë e vjedhura, rendin e shkatërruar, arsimin e rrënuar, mjekësinë vrasëse. Shqiptarët e dinë se edhe mjekësia bëhet, se edhe taksimi i ndershëm vendoset se edhe kriminelin më të mirë, shteti e bën të qajë. Mjafton që e majta të ketë vullnet. Kanarinat e Berishës në Parlament, e kanë të kotë që përpiqen të kompleksojnë të majtën se sa ka premtuar, nuk mund ti bëjë. Janë bërë më përpara në botë dhe kanë pasur sukses. Do të bëhen në Shqipëri dhe do kenë sukses.
I vetmi bast që kanë të majtët, është me shqiptarët. E kanë për detyrë të meritojnë besimin e tyre. Nëse e meritojnë, atëherë do ti kenë në krah. E nëse kanë në krah shqiptarët, atëherë të mos kenë frikë nga askush. Është një racë, që kur i mbushet mëndja, nuk ja kanë dalë ta trembin as turqit e as rusët, që kanë shtrirë nën këmbë gjysmën e botës, jo më një shtatëdhjetë vjeçar që gjysmën e natës nuk fle nga frika dhe gjysmën tjetër nga prostata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›