Vulin: Serbia do t'i mbështesë të kthyerit në Kosovë

Mediat serbe e kanë cituar Vulinin të ketë thënë se duhet bërë çmos që serbëve të kthyer në Kosovë t’iu sigurohet “jetesa e drejtë dhe e ndershme”.
Ai ka theksuar se “ekzistojnë një numër keqpërdorimesh”, por se “kjo nuk është arsye që Serbia të mos kujdeset për serbët që jetojnë në Kosovë”.
“Ndihmën për të kthyerit dhe shtesat për Kosovën nuk do t’i heqë askush, por ato do të shpërndahen ndryshe dhe në mënyrë më të drejtë”, ka thënë Vulin në Osojan.
Ai e ka vizituar edhe fshatin Zhaç, në të cilin, deri më tash janë kthyer 28 familje serbe.
Është paralajmëruar se gjatë ditës së sotme, Vulin do ta vizitojë edhe Patrikanën e Pejës dhe fshatin Gorazhdec, ndërkaq në mbrëmje do të vizitojë Shtërpcën.
Gjatë ditës së nesërme, Vulin do të qëndrojë edhe në Prizren.
Ndryshe, zyrtarët qeveritarë në Kosovë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se Vulin, po qëndron në vend me lejen e autoriteteve kosovare.