Drita e ndriçon Vushtrrinë

Drita ia ka shkaktuar Llamkos Kosovës humbjen e parë të sezonit. Skuadra gjilanase e ‘pushtoi’ Vushtrrinë duke fituar me rezultat minimal 1:0.
Skuadra vushtrriase e pati iniciativën e lehtë të lojës, por nuk arriti t’i shfrytëzojë disa raste që i ndërtoi.
Në anën tjetër, mysafirët pas një kundërsulmi të organizuar në minutën e 32-të e realizuan golin përmes Leonit Abazit, të cilin e ndihmoi devijimi i topit nga ana e Alban Dragushës.
Bardhekaltrit e lëshuan rastin më të mirë të takimit në minutën e 63-të, kur Labinot Jetullahu e humbi penalltinë pasi më parë një lojtar gjilanas e preku topin me dorë. Pas kësaj fitoreje, Drita u ngrit në pozitën e dytë të tabelës, kurse Llamkos Kosova mbeti në pozitën e shtatë.
Ferronikeli – Trepça ’89 1:4
Trepça ’89 e ruajti pamposhtmërinë, duke siguruar fitore bindëse ndaj Ferronikelit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Agron Rama’ në Obiliq. Përkundër disa rasteve të ndërtuara, skuadrat nuk arritën ta gjenin golin në pjesën e parë.
Ndërkaq, ‘Xehetarët’ u ndezën në 25 minutat e fundit, kur edhe realizuan katër gola. Ata e nisën serinë e golave në minutën e 66-të me anë të Samir Sahitit, ndërsa Dukagjin Gashi shënoi autogol 5 minuta më vonë. Isuf Llumnica realizoi për golin e tretë (80’), ndërsa Sahiti e shtoi avantazhin e mysafirëve në atë të 82-të.
Ferronikeli e shënoi golin e nderit në minutën e 88-të me anë të Fatih Karahodës. Ekipi nga Drenasi mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 68-të, pas ndëshkimit me karton të kuq të Fidan Gërbeshit.
Superliga – Xhiroja e katërt
Tabela
1. Prishtina 12 pikë
2. Drita 9
3. Trepça ’89 8
4. Hajvalia 7
5. Vëllaznimi 7
6. Trepça 6
7. Kosova (V) 5
8. Drenica 4
9. Liria 3
10. Ferronikeli 3
11. Hysi 2
12. Besa 1