E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbogar: Nuk po shkojmë drejt hapjes së Ahtisarit

Ne po kërkojmë nga Kosova që t’ia zgjatë dorën veriut. Ta nisë dialogun me njerëzit në veri dhe të provojë t`i zbusë frustrimet dhe presionet që ekzistojnë atje. Ata duhet të bëjnë ca gjeste, me të cilat do të konfirmojnë sinqeritetin e ruajtjes së Kosovës shumetnike. Kështu ka thënë përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar,në një intervistë për RTK-në, ka thënë se nuk do të hapet pakoja e Ahtisaarit, me nisjen e dialogut me Serbinë, por përmes këtij dialogu institucionet vendase t’ia zgjasin dorën veriut.

“Ne nuk po shkojmë drejt hapjes së Ahtisarit. Ne po kërkojmë nga Kosova që t’ia zgjatë dorën veriut. Ta nisë dialogun me njerëzit në veri dhe të provojë t`i zbusë frustrimet dhe presionet që ekzistojnë atje. Ata duhet të bëjnë ca gjeste, me të cilat do të konfirmojnë sinqeritetin e ruajtjes së Kosovës shumetnike”, ka thënë Zhbogar.

Me tutje Zhbogar ka thënë se në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i BE-së e bëri të qartë se çfarë duhet të bëjë Serbia, në mënyrë që të kalojë në stadin e ardhshëm, përkatësisht ta marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit, e kjo ishte normalizimi i raporteve më Kosovën, respektivisht përmirësimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm në raportet me Kosovën.

“Dhe për këtë tani po bisedohet dhe i është bërë shumë e qartë kryeministrit serb, Daçiq, gjatë vizitës së tij në Bruksel. Atij i është bërë me dije se pikërisht ky është kushti kryesor për Serbinë”, ka thënë ai për RTK.

Zhbogar ka shtuar se ata besojnë se Serbia duhet t`i zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik.

“Mirëpresim zgjidhjet në lidhje me marrëveshjen mbi bashkëpunimin rajonal dhe tani askush nuk do ta braktisë sallën kur mbahen konferencat. Ka çështje të tjera që duhet të zbatohen. Në mesin e tyre, më e rëndësishmja është marrëveshja mbi menaxhimin e integruar të kufijve dhe këtë e presim ende. Këta janë hapat e parë që duhet të ndërmerren. Ne duhet të shohim fillimisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, ka thënë Zhbogar, duke shtuar se nuk mund të diskutohen apo të negociohet për çështje të reja para zbatimit të atyre çështjeve, për të cilat tashmë kanë arritur pajtimin.

“Dhe natyrisht pas të gjitha këtyre vijmë në fazën e ardhshme dhe ky është dialogu politik, për të cilin po flitet aq shumë. Për ta ngritur këtë dialog në nivel të liderëve politikë, duhet të zgjidhen të gjitha çështjet. Ndoshta është tepër ambicioze të thuhet se do të zgjidhen të gjitha çështjet, por së paku do të zgjidhen çështjet e mëdha, të cilat po i rëndojnë raportet ndërmjet dy vendeve”, është shprehur ai.

Ai me tutje ka thënë se nuk kanë ndonjë kornizë kohore dhe duhet të jenë realistë se për përgatitjen e diskutimeve të këtij lloji nevojitet pak më shumë kohë, ndërsa, tash janë në biseda fillestare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›