E Shtunë, 31 Tetor 2026

Weiwei duhet të paguajë 2.4 milionë dollarë

Autoritetet kineze urdhëruan artistin disident, Ai Weiwei, të paguajë 2.4 milionë dollarë në emër të dënimit dhe tatimeve të papaguara.

Wewei (54) njihet për veprën e bërë enkas për lojërat olimpike, stadiumin ‘Foleja e Zogut’, në Pekin. Gjatë këtij viti ai qëndroi në paraburgim për 81 ditë, pa asnjë aktakuzë të ngritur, gjë që shkaktoi kritika të shumta në Perëndim. Weiwei u lirua në qershor.

Artisti kinez i tha agjencisë Reuters se nga autoritetet tatimore kineze ka marrë një njoftim, në të cilin thuhet se ai është “kontrollori i vërtetë” i kompanisë Peking Fake Cultural Development, e cila prodhon veprat e tij. Kompania është në pronësi të gruas së Weiwei.

"E shpikën këtë titull të ri. Unë jam dizajner i kompanisë, por jo drejtor e as menaxher i saj. Natyrisht që e di se jam shënjestër e sulmit. Ata më thanë se po e dënojnë kompaninë, e jo mua, por mua më intereson se përse qeveria zgjodhi pikërisht emrin tim për trajtim gjatë mbledhjeve të Ministrisë së Jashtme”, theksoi ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›