TKK po përgatitë "Natën e Dymbëdhjetë"

Teatri Kombëtar i Kosovës është në përgatitje e sipër të komedisë "Nata e Dymbëdhjetë", të William Shakespeare, të adaptuar sipas idesë së regjisorit Ilir Bokshi.
Premiera e shfaqjes është paraparë për 18 nëntor.
Ngjarja zhvillohet në Iliri, kështu që edhe shfaqja përbëhet nga elemente kombëtare shqiptare. Pos ritmeve e këngëve shqipe, edhe kostumet përbëhen nga elemente kombëtare, të cilat është duke i përgatitur kostumografja Vesa Kraja. Ndërkaq, për skenografinë do të përkujdeset Petrit Bakalli, i cili në skenë ka integruar tupanët si njërin prej elementeve kryesore.
Ndryshe, shfaqja përbëhet nga efekte të ndryshme ritmike e muzikore, për ekzekutimin e të cilave nga aktorët është përkujdesur Trimor Dhomi, njësoj sikurse edhe për interpretimin e atypëratyshëm të tyre me tupanë, tinguj zëri dhe këngë. Kjo, gjithsesi, është një formë e re e përgatitjes së një shfaqjeje në Kosovë.