Westerwele përshëndet vendimin e KE-së

Përmes një komunikate për media, numri një i diplomacisë gjermane ka theksuar se mbështet propozimin e Komisionit Evropian që nisja e bisedimeve me Serbinë për aderim në bllokun evropian të ndërlidhet me avancimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës.
“Tendosjet më të reja në rajon kanë treguar se sa është i rëndësishëm përparimi në këto pika”, është shprehur ai.
Westerwele ka përsëritur se qëndrimi gjerman mbetet i pandryshuar dhe se është për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të vazhdojë t’i mbështesë në rrugën drejt arritjes së kësaj objektive.
Komisioni Evropian ka propozuar që Serbisë t’i ndahet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka bërë të ditur se negociatat për pranim në bllok do të jenë të hapura në momentin kur Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
Për sa i përket datës së nisjes së bisedimeve për aderim, komisionari evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, ia ka bërë të qartë Serbisë se një gjë e tillë do të bëhet vetëm pasi të ketë normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.