Falsifikimi filmik i Konstandinit

Pak ditë më parë u publikua lajmi se njëri prej universiteteve më të njohura private në Serbi do të financojë xhirimin e filmit hollivudian që do t’i kushtohet perandorit romak Konstandinit të Madh.
Ndonëse i lindur në Naissus, të Dardanisë, Konstandinin serbët e shohin si një mundësi të mirë për të promovuar veten dhe historinë e tyre, ngase Nishi tani i takon Serbisë së sotme.
Njëri prej producentëve të filmit në fjalë këtë gjë edhe e konfirmoi, pak a shumë, në një prononcim për gazetën ditore serbe ‘Blic’.
“Është fakt që ky perandor u lind në qytetin e Nishit, kështu që kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar trashëgiminë kulturore serbe në mbarë botën”, theksoi Mića Jovanović, pronar dhe rektor i universitetit privat Megatrend.
Ndërkohë, deri më tani dihet edhe një detaj tjetër rreth filmit për Konstandinin, se aktori amerikan, George Clooney, do të jetë aktori që do ta portretizojë perandorin e madh.
Gjithë iniciativën për bërjen e këtij filmi e ndërmori universiteti Megatrend, që konsiderohet si njëri nga universitet më të mëdhenj privat serb. Ky universitet pretendon që në këtë formë të ngre në piedestal kulturën serbe, duke u shfaqur atë përmes figurës së Konstandinit. Për këtë qëllim, sipas rektorit Jovanovic, janë paraparë që për xhirimin e filmit të shpenzohen 100 milionë dollarë – aq sa parashihet të jetë buxheti komplet për të. Vetë Jovanovic madje pohon se në pronësi të tij janë 9.9 përqind e aksioneve të filmit.
Ndërkaq, në vetë qytetin e Nishit, ku edhe pritet të xhrihet pjesa më e madhe filmit, ambicia për bërjen e një filmi të bazuar në romanin “Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit të ri Dejan Stojiljkovic, është në rrije. Rrëfimi kriminalistik, që flet për kërkimin e nazistëve të shpatës së perandorit Konstandin në Nish, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të duhej ta bashkëfinanconte edhe shtëpia filmike Drina Film, nga Beogradi, ndërsa premiera e tij do të jepet në takimet Filmike të Nishit, në vitin 2012.
Megjithëse, Konstandini konsiderohet të jetë një personazh historik shumë më i afërt me ne shqiptarët, gjithë këto zhvillime duket se nuk i shqetësojnë fort kosovarët që merren me film, apo me histori.
Madje, ndonëse në Kosovë universitetet private janë me bollëk, nuk mbahet mend që ndonjëri nga ta të ketë investuar ndonjë projekt serioz filmik.
Aktori Ilir Tafa, i cili është edhe anëtar i Bordit Drejtues të Universitetit privat AAB-Riinvest, thotë se universitetet private i financojnë vetëm projektet që mund të kenë përfitime komerciale. Sipas tij, mund të financohet edhe diçka artistike, nëse kjo ndikon në rritjen e reputacionit të financuesit dhe nëse ai projekt ka sukses.
“Mirëpo nëse projekti nuk ka sukses, ai atëherë është një dëshpërim shumë i madh edhe për njerëzit tjerë që dëshirojnë të financojnë. Deri më tani asnjë projekt filmik në Kosovë nuk ka pasur sukses, qoftë edhe minimal, nëse krahasohet me shtetet e rajonit”, thekson Tafa.
Edhe pse iniciativa për xhirimin e filmit për Konstandinin në Serbi erdhi nga një universitet privat, Tafa mendon se për bërjen e filmave të kategorisë së tillë më shumë janë të thirrura institucionet shtetërore. “Nëse me këto projekte imazhi i një shoqërie depërton jashtë vendit, natyrisht, për të mirë, atëherë ky duhet të jetë një investim shtetëror. Ndërkohë që institucionet private më shumë e përcjellin interesin e vet personal, dhe nuk janë të obliguara të mbrojnë një interes të tillë”, shprehet Tafa.
Sipas Tafës, puna e universitetit është që të financojë më shumë libra, aktivitete të studentëve ose diçka të ngjashme, “ngase nuk është primare për një universitet që të financojë projekte filmike, përveç nëse një projekt filmik e lartëson reputacionin e atij institucioni”.
Mirëpo, Tafa ndalet tek një fakt tjetër. “Ne mund të bëjmë projekte filmike për Nënën Terezë, ose edhe për figura tjera të luftës së fundit. Por, vetëm një krahasim i thjeshtë mes Prishtinës dhe Sarajevës, tregon se ne nuk kemi arritur as 1përqindshin e asaj që e ka bërë Bosnje e Hercegovina në pasimin e një informate lidhur me atë se çfarë ka ndodhur këtu”, thekson ai. Madje, sipas Tafës, investimet e mëdha në film mungojnë edhe për shkakun se nuk i besohet një regjisori kosovar aq sa t’i jepen shuma të mëdha.
“Asnjë produksion i huaj nuk jep para, e as Qeveria e Kosovës nuk guxon jep para, dhe as që duhet të japë, sepse asnjë regjisor kosovar nuk ka dëshmuar deri më tani se di të bëjë film”, pohon ai.
Problem tjetër, sipas Tafës, është edhe mungesa e bashkëproduksioneve, sepse nuk është vetëm Kosova ajo që nuk mund të financojë vetë projekte të tilla. Probleme të ngjashme kanë edhe Shqipëria, Maqedonia dhe shtetet tjera të rajonit.
Megjithëse gazeta Express, tentoi të kontaktojë me ndonjë historian vendor, për të zbardhur sadopak gjenezën e Konstandinit, kjo gjë doli të jetë e pamundur.
Megjithatë, me aq sa dihet, Konstandini i Madh konsiderohet një nga figurat më të mëdha të historisë së lashtë kombëtare. Ai ishte njëri prej ilirëve të shumtë që arritën të ishin perandorë të Romës. Konstandini u lind në pjesën e Ilirisë (në Nish) që u pushtua nga sllavët e jugut. Ishte në perandor që sundoi plot 31 vjet (306-337). Emri i tij i lindjes ishte Flavius Valerius Constantinus, dhe ishte i biri i komandantit ilir, Constantinus Chlorus, dhe gruas së tij Helena, që ishte e bija e një iliri nga qyteti Naissus.