E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Gjermania lobon për njohjen e Kosovës

Diplomacia gjermane do të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e diplomacisë kosovare në përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, gjatë një takimi qe ka mbajtur me ministrin e Punëve të Jashtme te Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
 

Ministri i Jashtëm gjerman ka përshëndetur njohjen që ka ardhur dy ditë më parë nga Principata e Andorrës, ndërsa ftoi shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, te marrin një hap të tillë.
 

Westerwelle, ka thënë se Gjermania do të ndikojë tek pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që sa më parë të marrin një vendim të tillë dhe se Gjermania do të ndihmojë Kosovën edhe sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.
 

Ministri Federal i Punëve të Jashtme ka shprehur përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa ka ofruar edhe përkrahje edhe për zhvillimin ekonomik.
Në anën tjetër, Hoxhaj ka falënderuar Ministrin Westerwelle për qëndrimet e qarta mbështetëse rreth të gjitha proceseve në Kosovë, veçanërisht rreth perspektivës evropiane të shtetit të Kosovës. Hoxhaj ka thënë se adresa e parë politike në Evropë për Kosovën dhe qytetarët e saj është Berlini. Rreth proceseve integruese të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.
 

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Westerwelle, kanë nënshkruar një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy diplomacive.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›