E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Të plotësohen kushtet e Brukselit për statusin kandidat

22-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi sot një takim me homologun e tij gjerman, z. Guido Westerwelle. Në takim u diskutua mbi forcimin e partneritetit midis dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, me fokus të veçantë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Panariti dhe homologu i tij Westerwelle, vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, që falë vullnetit politik dhe angazhimit të përbashkët po njohin rritje të vazhdueshme. Ministri Panariti duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Ministrit Westerwelle në Tiranë, e cilësoi atë si një vizitë historike. Ai vlerësoi se Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik për Shqipërinë, që ka dhënë një kontribut të çmuar për transformimet e rëndësishme demokratike në Shqipëri, si dhe në drejtim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ministri Panariti u shpreh se Gjermania është partner shumë i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe prej dy dekadash, është donatori kryesor në Shqipëri. Kryediplomati gjerman, Westerwelle, nga ana e tij, vlerësoi faktin se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mbështeten në një traditë të gjatë historie marrëdhëniesh dhe bashkëpunimi shumë të mirë dhe vuri theksin në interesin që ka Gjermania për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fusha si: kultura, arsimi, mediat dhe turizmi. Më pas, Ministri Panariti e informoi homologun gjerman me progresin e bërë në vend  në drejtim të integrimit në BE, duke e siguruar atë se integrimi evropian mbetet një prioritet kombëtar dhe se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për plotësimin e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ministri Westerwelle u shpreh se Gjermania vlerëson pozitivisht progresin e arritur në procesin e integrimit evropian nga Shqipëria, konfirmoi mbështetjen e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe inkurajoi për plotësimin e të gjitha kritereve të të kërkuara. Gjatw këtij takimi u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin tonë. Ministri Panariti e siguroi Ministrin Westerwelle për vazhdimësinë e angazhimit tonë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit më të gjitha vendet e rajonit duke luajtur kështu një rol konstruktiv. Ministri Westerwelle vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit.


Edmond Panariti


“Në këtë takim dypalësh, ne konfirmuam edhe një herë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ne diskutuam mbi forcimin e tyre midis dy vendeve tona, zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. U përqendruam në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, sidomos në problemet e Ballkanit Perëndimor. Ministri Westerwelle më konfirmoi edhe një herë angazhimin për mbështetjen për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Nga ana tjetër unë e sigurova kolegun tim për përkushtimin e palëkundur të autoriteteve shqiptare në respekt edhe të vullnetit të patundur të popullit shqiptar për t’u integruar në Bashkimin Europian.


Guido Westerwelle


“Që prej vitit 1998, Gjermania i ka dhënë mbështetjen Shqipërisë me një vlerë prej 1  miliardë euro dhe ne këtë e konsiderojmë si një kontribut të vlefshëm për konsolidimin e marrëdhënieve tona. Shqipëria e përqendron shikimin e saj drejt Europës dhe këtë ne e përshëndesim. Gjermania e mbështet perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo vlen veçanërisht edhe për Shqipërinë. Për këtë duhen plotësuar disa kritere. Lidhur me plotësimin e kritereve, nuk mund të bëjmë lëshime, por as nuk do të keni vështirësi të veçanta. Ekziston një konsensus brenda shoqërisë shqiptare lidhur me perspektivën europiane dhe ky konsensus duhet të gjejë shprehje edhe në veprimin dhe qëllimin e përbashkët të forcave politike në Shqipëri”.


Në përfundim të takimit, dy ministrat Panariti dhe Westerwelle iu përgjigjën edhe interesit të mediat:


Zoti Westerwelle keni një koment lidhur me deklaratat e natyrës nacionaliste që kohët e fundit janë bërë në Tiranë?


Siç ju thashë, emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në kohërat e një fushate elektorale. Kështu që dua të nënvizoj edhe njëherë që qëllimi i përbashkët duhet të jetë që, një ditë të bukur të gjitha shtetet e rajonit të jenë pjesë e Bashkimit Europian, ku të gjithë qytetarët të mund të lëvizin lirisht. Ndryshimet e kufijve nuk lejohen as në Ballkan. Sipas mendimit tone, kufijtë në Europë as nuk hiqen, as nuk mënjanohen, as nuk ndryshojnë, por thjesht e humbasin rëndësinë e tyre.


Ambasadorja gjermane ka deklaruar se, edhe nëse miratohen tre ligjet Shqipëria nuk do ta marrë statusin kandidat. Mund të jepni një koment tuaj se, cili është qëndrimi i qeverisë gjermane në lidhje me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë?


Pyetja juaj më jep rastin që të sqaroj keqkuptimet e mundshme. Edhe njëherë ju falënderoj shumë për pyetjen. Mendoj se ju i referoheni edhe deklaratës së Komisionerit Europian për integrimin. Ky është një rast i mirë për mua që të nënvizoj edhe njëherë qëndrimin gjerman. Qëndrimi gjerman është në harmoni me mendimin e miqve dhe partnerëve në Europë dhe pikërisht atë ka nënvizuar edhe ambasadorja. Ne duam perspektivën europiane për Shqipërinë. Secili hap europian, varet edhe nga plotësimi i kritereve nga ana e Shqipërisë. Për këtë janë me rëndësi jo vetëm të drejtat teorike, por edhe zbatimi konkret në praktikë. Kuptohet që është me rëndësi gjithashtu që, zgjedhjet dhe procesi i zgjedhjeve të zhvillohen sipas standardeve europiane, pasi të kemi marrë raportin dhe pasi të jemi në dijeni për faktet, atëherë do të marrim vendimin tonë. Dhe në lidhje me vendimet e vitit të kaluar me shtetet e Ballkanit Perëndimor ju garantoj se, ne këtë çështje e kemi parë shumë seriozisht. Përsa i përket Gjermanisë, nuk ka as lëshime, dhe nuk do të ketë edhe vështirësi artificiale, por në këtë proces do ta vlerësojmë në mënyrë të ndershme të drejtë, të arsyeshme, ashtu siç duhet midis miqve. Fola për një konsensus brenda Shqipërisë, kur flas për konsensus nënkuptoj që forcat e ndryshme brenda Shqipërisë duhet të jenë të një linje përsa i përket plotësimit të kritereve dhe lidhur me këtë jam plotësisht i një mendimi me kolegun tim shqiptar.


Z.Panariti, kohët e fundit ka patur debate për çështjen e deklaratave nacionaliste dhe qëndrimin amerikan për këtë çështje. Cili do të jetë qëndrimi dhe pozicioni juaj gjatë takimit që do të keni sot me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, z. Reeker?


Më lejoni të përfitoj nga ky rast për të theksuar edhe njëherë qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me vullnetin e palëkundur për të patur një marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim konstruktiv me vendete rajonit. Shqipëria do të vazhdojë të luajë si më parë rolin që ka patur në Ballkan si promovuese e stabilitetit, e paqes dhe prosperitetit në rajon. Shqipëria as nuk ka patur, as nuk ka, dhe as nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj dhe ne jemi plotësisht të angazhuar për të respektuar pa dyshim edhe pozicionin tonë në mbështetje të rekomandimeve të Grupit të Kontaktit. Ky është pozicioni ynë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›