E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Europian mes reformave dhe rritjes së besimit

22-02-2013 / Nga Ilirian Dahri

Kohë bilancesh në Bashkimin Europian. Po analizohet ecuria e ekonomisë europiane në tërësi pa harruar edhe atë të  vendeve të ndryshme në veçanti. Nëpërmjet analizave të thella është vënë re se në Bashkimin Europian ka një rritje të ngadaltë të ekonomisë por në këtë panoramë bien në sy disa vende  me një ekonomi shumë dinamike. Pikërisht këto vende të bashkimit Europian janë  përcaktuar si “Yje të shndritshme në qiellin europian” edhe nga shtypi botëror madje është shtuar se mund të shërbejnë edhe si  modele për t’u imituar. Në krye të kësaj liste të vendeve të Bashkimit Europian janë vendet skandinave si Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia që karahasuar me vendet e tjera të Bashkimit kanë një rritje ekonomike që shkon nga 0,8 deri në 2,3%. Janë  pagëzuar shpejt si modeli nordik dhe shumë prej analistëve kanë vënë theksin tek të mirat që sjell ky model. Vihet re se Institucionet në këto vende të BE janë të forta ashtu si edhe cilësia e administratës publike e cila garantohet nëpërmjet një niveli taksash më të lartë sesa në vendet e tjera. Nga ana tjetër ka shumë analistë të tjerë të cilët vënë theksin tek vogëlsia e këtyre shteteve të cilët për nga popullsia përbëjnë vetëm 5%, të gjithë popullsisë të Bashkimit Europian. Natyrisht nisur edhe nga ky fakt krahasimi me ekonomitë e vendeve të konsideruara si të mëdha pjesë të Bashkimit Europian si Italia, Spanja, Gjermania apo Franca nuk do të ishte korrekt. Por ndërkaq vetë banorët e këtyre shteteve, janë cilësuar si njerëz që shpenzojnë më shumë për materiale konsumi të përditshëm. Rreth viteve nëntëdhjetë këto vende kaluan atë që më pas e kaluan edhe vendet e mëdha europiane (dhe po e kalojnë akoma në këtë periudhë krize) sidomos në sektorin imobiliar që goditi më pas edhe vende si Spanja dhe Irlanda por që ndryshe nga këto të fundit arritën t’ja dilnin mbanë. Qeveritë ndërhynë shpejt, dhe shumë prej bankave u bënë më të forta nga ndihma e qeverive. Si rrjedhojë, shënuan një rritje të eksporteve dhe pikërisht falë tyre në vitin 2008, kriza nuk i preku aspak ndërsa dihet tashmë se çfarë ndodhi me pjesën tjetër të vendeve të Bashkimit Europian. A do të jenë vendet nordike një pikë referimi për Europën? Mundësitë janë të mëdha dhe sinjalet positive të Bashkimit Europian duket se po shpien drejt kësaj rruge. Në këtë klasifikim është “harruar” Norvegjia për faktin se ka dashur të qëndrojë jashtë Bashkimit Europian. Sidoqoftë ky vend  parashikon një rritje që mund të shkojë aty tek shifra 2,3%. Natyrisht një vend i pasur me rezerva nafte të cilat e kanë ndihmuar shumë që edhe Banka Qëndrore Kombëtare të jetë në pararojë. Do të pasojë një rritje taksash që do të realizohet dy herë në këtë vit (parashikohet pa probleme), në tremestrin e tretë dhe të katërt. Danimarka po ashtu do të ketë një rritje me afro 1,6%, sepse ky vend kryeson listën për shpenzimet sociale që arrijnë në një të tretën e GDP. Danimarka, në të njëjtën kohë, është një vend që  merr notat më të larta për nivelin e cilësisë së jetës. Po ka ende një shtet i cili është në pararojë por që “udhëton” me një borxh që arrin në 1,2%, të Gdp dhe që në të njëjtën kohë ka marrë një medalje argjendi në nivel global për kompetivitetin. Një medalje nga Forumi Ekonomik Botëror por në të njëjtën kohë paraqitet si vendi më i “dobët” krahasuar me vendet e tjera skandinave. Nga ana tjetër parashikohet se do të kenë një rritje prej 0,8% për vitin 2013, ndërsa një vit më pas do të shënojnë një rritje me 1,3%. Natyrisht një rol të madh ka luajtur rënia  e eksporteve si pasojë e efektit Nokia (në vitin 2007 përbënte 4,4% të Gdp ndërsa në 2011 pati rënie që arrinte në -0,6%). Suedia nga ana e saj ka patur fuqi për t’i rezistuar krizës europiane sidomos falë politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të ndërmarra në vitet 90. Në ambientet e Bashkimit Europian po flitet gjithmonë dhe më shumë për vendet që kanë rritje sepse në këtë mënyrë do të rritej edhe besimi në tregjet. Natyrisht që konkurenca është e madhe dhe jo të gjithëve do t’ju interesonte një Europë e fortë. Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme se në vendin fqinj të Greqisë situata po rrënohet çdo ditë dhe më shumë. Është folur ndërkaq se kanë qenë lajme të rreme por kjo nuk i ndalur dot lajmet e shpërndara me shpejtësi. Flitej për grabitës supermaketesh të cilët pastaj i ndanin ushqimet më pas në popull. Në Francë qarkullojnë lajme sipas të cilave ekziston një ligj lufte që mund të aplikohet në rast të ndonjë greve të përgjithshme të anijeve lundruese. Nga ana tjetër në mes këtyre lajmeve për vendin fqinj të Greqisë ka edhe lajme të mira se masat e kursimeve janë vërtet të rrepta por llogaria publike po fillon të ecë në rrugë të mbarë dhe se ky vend është ndër të parët që ka aprovuar ligje për kompetivivtetin. Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi përsërit prej kohësh, për të gjitha vendet e eurozonës, se duhen aplikuar reformat strukturore të tregjeve, reforma të prodhimeve dhe ato të tregut të punës në mënyrë që eksportet të jenë më kompetitive. Një prej porosive kryesore të presidentit Mario Dragi është rritja e besimit dhe duket se po ecet pikërisht në këtë rrugë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›