E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD, e para që ka respektuar kuotën 30 për qind të përfaqësimit të femrave”

22-02-2013 / Gazeta 55

Flet Albana Vokshi , Kryetare  e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë


Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, deklaroi se Shqipëria, që prej vitit 2006, nën drejtimin e maxhorances së djathtë, të drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, është përfshirë në një lëvizje të fuqishme për të drejtat politike të grave.  Partia Demokratike e Shqipërisë, theksoi zonja Vokshi, gjatë një takimi në Tiranë, të organizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në vendimmarrje”, është fokusuar te rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë dhe vendim-marrje, “është partia e parë në vend që ka respektuar kuotën gjinore prej 30 për qindtë përfaqësimit të grave dhe vajzave edhe në strukturat e saj organizative, duke promovuar një pjesëmarrje të madhe të tyre në politikë dhe vendimmarrje”. Sipas saj, “referuar raporteve të institucioneve të specializuara, gratë dhe vajzat në Shqipëri, sot gëzojnë më shumë të drejta. Eshtë rritur përfaqësimi i tyre në parlament, në qeveri, në administratën qëndrore dhe atë lokale si dhe në forcat e sigurisë. Gratë dhe vajzat përbëjnë numrin më të madh të studenteve dhe docenteve në Universitetet publike dhe jo-publike në vend. Po punohet me programe të veçanta për fuqizimin ekonomik të tyre , jo vetëm në qëndrat urbane, por edhe në fshat, aty ku gratë dhe vajzat kontribuojnë në 55 për qind të prodhimeve bujqësore. Gjithashtu një vëmendje po u kushtohet edhe grave kryefamiljare dhe pensionisteve, duke i përfshirë dhe këto në programe për një moshë aktive”. “Në raportin e Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2010 ‘Mbi barazinë gjinore’ Shqipëria renditet në vendin e 78 nga 134 shtete të referuara në studim, me një vlerësim prej afro 70 për qind, ku vlerësimi maksimal 100 për qind jepet në rastet e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në fusha si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe politika. Ndërkohë Raportit i Unionit Ndërparlamentar i publikuar ne shkurt 2012 dhe qe i referohet studimit mbi përfaqësimin politik të grave, e vendos Shqipërinë në vendin e 82 nga 143 vende në rang botëror”, theksoi Vokshi. “Ndryshimet legjislative në Shqipëri, gjatë maxhorancës së djathtë, krijuan kushte të favorshme për një përfaqësim më të lartë të grave dhe vajzave . Në zgjedhjet politike të 2009 kuota gjinore e sanksionuar në ligj, por edhe në Kodin zgjedhor, detyroi partitë politike të përfshinin në listat e kandidatëve gratë dhe vajzat. Në legjislaturën 2005-2009, në parlament kishte vetëm 10 gra deputete, ndërsa në Parlamentin aktual numri i grave është 22. Por zhvillimet e kuotës gjinore në zgjedhjet lokale të vitit 2011 bënë që sërish vëmëndja e forumeve politike të grave dhe e rrjeteve që lobojnë për të drejtat e tyre të përqëndrohet tek ligji zgjedhor, i cili pësoi ndryshime vitin e shkuar. Në Kodin e ri elektoral u sanksionua që 1 në tre emrat e parë të listës zgjedhore të jetë grua dhe në rast së partitë politikë nuk respektojnë këtë detyrim, gjobiten me 1 milionë lekë”, deklaroi Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëkohësisht deputete e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›