E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle në Kosovë viziton KFOR-in

PRISHTINE- Ministri i Jashtëm i Republikës Federale Gjermane, Guido Westerwelle, gjatë qëndrimit sot në Kosovë vizitoi Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë, ku u prit nga Komandanti, Gjeneral Lejtnant Markus Bentler.

"Pas njohjes me situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, e vlerësuar si e qetë dhe te qendrushme ata diskutuan mbi të ardhmen e KFOR-it dhe rolin e Gjermanisë në këtë mision", bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp të zyrës për informim publik të KFOR-it.
"Gjermania përfaqëson kontributin më të madh në trupa, në misionin paqësor, udhëhequr nga NATO. Vizita e Westerwelle thekson përkushtimin e palëkundur të Gjermanisë për KFOR-in dhe Kosovën", thekson komunikata.
Komandanti i ardhshëm i KFOR-it, Gjeneral Majori Erhard Bühler, do të pasojë Komandantin e deritanishëm të KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Bentler (Gjermani), më 1 shtator.

"Kjo është një shenjë tjetër e vullnetit të Gjermanisë në përkrahje të zhvillimeve të ardhshme të KFOR-it dhe Kosovës", theksohet në komunikatë.
Në axhendën e kryediplomatit gjerman është edhe vizita në kontigjentin gjerman të KFOR-it në Prizren. Pas takimit të përbashkët me drejtuesit më të lartë të Kosovës, Presidentin e Republikës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, me të cilin pati edhe një takim të veçantë, kryediplomati gjerman gjatë pasditës së sotme iu drejtua Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne, ndërsa ka vizituar edhe Komunën dhe Manastirin e Graçanicës.

Fjalën në Kuvend ministri Westerwelle e mbylli me mesazhin se "Gjermania do të lobojë që Kosova të marrë vendin e saj në familjen e popujve” dhe "e ardhmja e Kosovës është në Evropë".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›