Whoopi Goldberg, aktorja që i bën të gjitha
Është pa dyshim një nga aktoret më të famshme dhe me më shumë personalitet, jo vetëm në Amerikë, e mbi të gjitha një grua e jashtëzakonshme, me një kurajo e zemër të madhe. Karriera e saj është e mrekullueshme dhe filmat në të cilët ka interpretuar kanë bërë gjithmonë epokë. Që prej disa kohësh, e famshmja Whoopi Goldberg jep edhe vlerësime dhe mendime në lidhje me politikën dhe politikanët e vendit të saj, duke mos e fshehur preferencën, por dhe përçmimin për liderët dhe ish-liderët. Madje ajo e ka përdorur famën e saj si një trampolinë për mbështetjen e shumë fushatave, duke filluar që nga aborti e deri te taksat. Bill Klinton ka qenë një ndër përfituesit më të mëdhenj të mbështetjes së Whoopi-t. Ish-kandidati demokrat presidencial, Xhon Kerri, gjithashtu e di mirë se çfarë do të thotë të mbështetesh, apo në të kundërtën, të shahesh nga Whoopi. Ndër personat që e njohin fare mirë mbështetjen e aktores së madhe është edhe çifti Obama, Barak dhe Mishel. Gjatë fushatës zgjedhore, Mishel përdori "show"-n e Whoopi-t për të kundërshtuar akuzat që iu ngritën se gjoja ishte një zezake raciste dhe separatiste. Goldberg ka një ndikim shumë të madh në politikën amerikane. Që në fillim është marrë me çështje sociale të një sensibiliteti të madh, si ndihma ndaj të droguarve, të papunëve, apo të pastrehëve. Ajo që është e veçantë, është se ndryshe nga yjet e tjerë të kinemasë, Goldberg e ka dhënë dhe e jep një kontribut të tillë në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, dhe jo vetëm me raste fushatash apo për publicitet. Kjo ndoshta sepse një pjesë e jetës së saj ka qenë e vështirë dhe e përvuajtur. Ndoshta nga ajo periudhë e jetës, po edhe vetë tipi që ka Goldberg, nuk ngjan aspak me yjet e tjerë. Vishet gjithmonë shumë thjesht, thuajse me xhinse dhe bluza të bardha pambuku. Kur nëpër rrugë e njohin dhe e ndalin për ndonjë fotografi, apo autograf, ajo është gjithmonë e papërtuar për t‘u falur të tjerëve kënaqësi. Emri i vërtetë i 55-vjeçares është Caryn Elaine Jonson. Fëmijëria e saj nuk kishte shumë vend për të qeshura. Fillimisht ajo ishte disilektike; la shkollën përgjysmë; u largua nga shtëpia për të fjetur ku të mundte; dhe për një farë kohe krijoi një varësi ndaj heroinës. Ndihma e pakursyer e një këshilltari social bëri që ajo të mund të shkëputej nga ndikimi vrasës. Në shenjë mirënjohjeje, ajo u martua me të në moshën 20-vjeçare dhe solli në jetë një fëmijë. Pastaj u divorcua brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, kishte filluar të futej në botën e artit dhe kinemasë, duke marrë pjesë në role të vogla, të parëndësishme e të dorës së tretë në skenë. Mrekullia ndodhi kur ajo u vu re nga i madh Steven Spielberg, i cili e mori në stafin e filmit "Ngjyra rozë". Ndërkohë, jeta e saj personale ishte një mal i vërtetë rus, me shumë ulje e ngritje humori dhe ndjenjash. Ajo u martua tri herë në jetën e saj dhe të treja herët ishin një dështim, pasi përfunduan me divorc. Vetë ishte vajza e një adoleshenteje, ndërkohë që edhe fëmijën e saj të parë e solli në jetë kur ishte shumë e re. Ky rreth nuk do të mbyllej këtu, pasi edhe e bija e Whoopi-t solli në jetë fëmijën e saj të parë kur ishte vetëm 15 vjeçe. Por Whoopi nuk mund ta pranonte një gjë të tillë dhe ky, sipas saj, ishte një nga momentet më të vështira të jetës. Tashmë Alex, e bija, është shefe prodhimi në industrinë e filmave. Ajo është 30 vjeçe dhe nëna e 3 fëmijëve. Pas viteve të gjata të karrierës kinematografike, Goldberg vendosi që të tërhiqej pak nga aktrimi dhe të provonte diçka krejt tjetër. Pasi mendoi gjatë, e ndau mendjen se një nga gjërat që do t‘i jepnin kënaqësi ishte të kish një "show" të saj, tashmë të shndërruar në një sukses të vërtetë në stacionin amerikan "ABC". Në këto shfaqje ajo fton njerëz shumë të rëndësishëm, me të cilët diskuton për çështje nga më të ndryshmet. Kështu, ka pasur të ftuar ish-sekretaren amerikane të shtetit, Kondoleca Rajs, me të cilën foli për vështirësitë e një gruaje që jeton vetëm dhe nuk është martuar asnjëherë. "Njerëzit mendojnë se unë nuk kam kohë për t‘u lidhur me dikë, sepse ia kushtoj gjithë kohën karrierës dhe profesionit, por në fakt unë nuk jam martuar sepse nuk kam gjetur deri më tani askënd me të cilin do të doja të martohesha", i tha Kondoleca, Goldberg. Po vetë aktorja dhe drejtuesja, a është e vetmuar për momentin? "Nuk e di, përgjigjet. Nuk mendoj se jam vetëm, por nuk jam tërësisht e dhënë dhe e vendosur për atë lidhje. Nuk kam qenë asnjëherë e mirë në marrëdhëniet me të dashurit dhe me bashkëshortët. Do të kisha dashur që të ishte ndryshe, por ja që nuk është". Aktualisht Goldberg jeton në një apartament në Manhatan, me një mace që quhet Oliver. "Jam shumë egoiste. Dua që të zgjohem dhe ta organizoj ditën sipas dëshirës sime. Nuk më pëlqejnë kontrollet dhe kërkesat e llogarive, si dhe të bëj gjëra vetëm për hir se dikush që është pranë meje e do, por unë nuk e dua. Sigurisht, gjithë ky rregull ndryshon kur më në fund takon dikë me të cilin ke kënaqësinë t‘i ndash gjërat". Ajo ishte një nga mbështetëset më të zjarrta të Presidentit Obama dhe një kundërshtare po aq e flaktë e paraardhësit të tij, Bush. Sipas saj, puna me të cilën po përballet Presidenti i ri është jashtëzakonisht e vështirë, pasi ajo çka la pas Bush, ishte një shkatërrim real dhe imazhi mbi të gjitha. Megjithatë ajo është e bindur se Obama do t‘ia dalë mbanë. Por a i ka shkuar ndërmend vetë që të kandidojë ndonjëherë për ndonjë pozicion zyrtar? "Po mendohem për këtë. Përse jo?", deklaron Goldberg.
Ka thënë:
Për pamjen e saj: "Unë nuk dukem si Hale Bery, por ka shumë mundësi që më vonë ajo të duket si unë"
Për aktrimin: "Një aktore mund të luajë vetëm role femrash. Unë jam aktor dhe mund të luaj gjithçka"
Për luftën kundër terrorizmit: "Në kohën e Bushit, nëse do të shpreheshe kundër luftës- në industrinë e filmit e kam fjalën -do të të damkosnin me nofkën ‘antipatriot‘. Kjo ishte shumë e padrejtë, sepse që të të quanin patriot, duhet të kërkoje vdekjen e njerëzve"
Për politikën: "Nuk e kam konsideruar kurrë komunizmin si një gjë të keqe"
Për jetën: "Normaliteti nuk është asgjë më shumë se një cikël larjeje në makinën larëse"
Ka thënë:
Për pamjen e saj: "Unë nuk dukem si Hale Bery, por ka shumë mundësi që më vonë ajo të duket si unë"
Për aktrimin: "Një aktore mund të luajë vetëm role femrash. Unë jam aktor dhe mund të luaj gjithçka"
Për luftën kundër terrorizmit: "Në kohën e Bushit, nëse do të shpreheshe kundër luftës- në industrinë e filmit e kam fjalën -do të të damkosnin me nofkën ‘antipatriot‘. Kjo ishte shumë e padrejtë, sepse që të të quanin patriot, duhet të kërkoje vdekjen e njerëzve"
Për politikën: "Nuk e kam konsideruar kurrë komunizmin si një gjë të keqe"
Për jetën: "Normaliteti nuk është asgjë më shumë se një cikël larjeje në makinën larëse"