Wikileaks, Arvizu: Njerëzit të krijojnë vetë opinionet e tyre mbi gjërat që janë botuar. Jam zhgënjyer nga emërtimet si spiunë
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka qenë i pranishëm në seancën e parë të sesionit të ri të Kuvendit, ku e pranishme ka qenë dhe opozita. Në përfundim të seancës që ka zgjatur mbi 1 orë e gjysëm, ai ka folur për dokumentet e Wikileaks.
Ne nuk komentojmë gjërat që dalin nga Wikileaks. Të gjitha këto çështje që kanë dalë, janë të ndëshkueshme me ligj. Por janë botuar shumë gjëra dhe njerëzit do formojnë mendimet e tyre mbi ato që janë botuar. Nga pikëpamja ime, njerëzit duhet të formojnë mendimin e tyre dhe nuk ka asnjë problem. Ka diçka që kam parë në media dhe që më bën të mos ndjehem mirë. Kjo ka lidhje me disa përshkrime e komente për emërtimin e njerëzve si informatorë, si spiunë. Për njerëzit që flasin kështu, veprojnë kështu, duhet të them se jam shumë i zhgënjyer. Mendoja se ditët e Sigurimit i kishim lënë pas. Ka njerëz që e kthejnë kokën pas, dhe ata njerëz nuk do e çojnë vendin përpara. Të gjithë njerëzit në këtë vend duan që ky vend të ecë përpara. SHBA do jetë këtu për mbështetje, tha Arvizu.
Në lidhje me seancën, ai tha se palët duhet të kujdesen për të zbatuar rekomandimet e ODIHR. Ai shtoi se mazhoranca duhet të japë më shumë për kompromisin.
Është e rëndësishme që të dy palët patën mundësi të shprehin opinionet e tyre. Ka pasur probleme serioze që kanë dalë nga raporti i ODIHR. Të dyja palët kanë pranuar se është e rëndësishme të punojnë bashkë.
Dua të përmend diçka që e ka përmendur edhe kryeministri, që ndonëse mazhoranca ka më shumë karrige në parlament, duhet të bëjë sa më shumë kompromise. Por kjo nënkupton që edhe opozita duhet të bëjë punën e saj. Duke parë situatën aktuale mendoj se mazhoranca duhet të japë sa më shumë për kompromisin.
Le të flasim për rekomandimet e OSBE/ODIHR. Duhet të jemi realistë, ka një ndarje shumë të madhe mes qeverisë dhe opozitës. Berisha dhe Rama thonë se do mirëprisnin trupa të tilla si ODIHR dhe Venecian. Sigurisht Shqipëria është vend sovran dhe shqiptarët vendosin se si e drejtojnë vendin e tyre. Por nëse ka organizata që janë të gatshme të ofrojnë ekspertizë, kjo është e rëndësishme. Mendoj se e rëndësishme që reformat të nisin, por që të përmbushen. Ne e dimë se bëhet fjalë për çështje besimi, tha Arvizu.