Shpërthejnë akuzat për programin e Doktoraturës vetëm tek Universiteti Evropian i Tiranës
Lexo në pdf me faksimile Doktoraturat
Universitetet private: Universiteti Evropian i Tiranës po shpërblehet politikisht me licencën e doktoraturave.
Reagon Henri Çili: Është e vërtetë që po licencohemi të parët, por sdo jemi të vetmit
Licencimi nga Këshilli i Akreditimit i Universitetit Evropian të Tiranës për dhënien e doktoraturave, duket se ka ndezur një debat që po zien në mjediset e universiteteve private, të cilat nuk kanë përfituar ende këtë licencë. Disa prej tyre mendojnë se licencimi i UET është bërë si shpërblim politik dhe është në shkelje të ligjit. Sipas tyre ekziston një kaos i kontrolluar në legjislacionin për dhënien e doktoraturave në Universitete, i cili po lejon zyrtarët e lartë të qeverisë të mbajnë qëndrime selektive ndaj universiteteve private.
Si ka nisur historia
Në një vendim të vitit 2007 (Nr.864, datë 5.12.2007) përcaktohen një sërë kriteresh për marrjen e doktoraturave, por monopoli për dhënien e tyre i mbetet universiteteve publike dhe jo atyre private. Kjo shpjegohej në atë kohë me performancën e ulët të universiteteve private, por dhe me një këmbëngulje të madhe nga universitetet publike për të ruajtur monopolin e tyre në këtë standard të licencimit. Qysh në pikën nr.1 të këtij vendimi thuhet se Institucioni publik i arsimit të lartë, që aplikon për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, duhet të jetë universitet, akademi apo edhe një shkollë e lartë universitare, e cila provon se plotësohen standardet akademike dhe ato të infrastrukturës, për të hapur ciklin e tretë të studimeve dhe për të organizuar studime të doktoratës. Për një kohë të gjatë situata mbeti e pandryshuar. (Faksimile e vendimit nr. 864 date 5.12.2007 që i jep të drejtë vetëm Universiteteve publike për dhënien e doktoraturës) Në vitin 2009, ish Ministri i Arsimit, Fatos Beja, pati një përpjekje për të bërë një urdhër që korrigjonte këtë vendim të Këshillit të Ministrave. Në atë urdhër ish Ministri Beja shfuqizonte me arsyetimin e tij monopolin e universitetit publik në dhënien e doktoraturave. Por urdhri i tij nuk u vu në zbatim pasi në hierarkinë ligjore, një urdhër Ministri nuk mund të ndryshoj një VKM. Fakti që ky urdhër nuk funksionon, provohet nga një përgjigje refuzuese që Ministria e Arsimit në shkurt të këtij viti, i ka kthyer Universitetit Epoka dhe Universitetit UFO, duke ja mohuar të drejtën që ata të japin doktoratura me arsyetimin se këto programe e studimi nuk mund të vlerësohen, sepse VKM Nr. 864 dhe Udhëzimi Nr.11 i përjashtojnë Institucionet Private nga e drejta për të dhënë programe mësimorë në ciklin e tretë. (Faksimile e përgjigjes që Ministria e Arsimit i ka kthyer Universitetit Epoka në shkurt të këtij viti) Pikërisht këtu nis dhe debati që po zien brenda Universiteteve private. Universiteti Evropian i Tiranës ka arritur të marrë një leje nga Këshilli i Akreditimit, edhe pse ka aplikuar në të njëjtën kohë me Epoka dhe UFO. Në vendimin që mban datën 29 Korrik 2011, Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit Master i Shkencave dhe Doktoraturë të kërkuar nga ShLUP Universiteti Evropian i Tiranës, Tiranë, i ka dhënë atij të drejtën për të dhënë titullin e Doktoraturës në disa degë. (Faksimile e lejes që ka dhënë Këshilli i Akreditimit për Universitetin Evropian të Tiranës në korrik 2011)
Përse akuzohet Këshilli i Akreditimit për qëndrim selektiv?
Debati brenda universiteteve private është pikërisht për kriteret që janë ndjekur për ti dhënë të drejtën vetëm Universitetit Evropian të Tiranës dhe jo dhe atyre të tjerëve që kanë aplikuar. Arsyetimi i tyre është se përderisa Universitetit Epoka dhe UFO u është kthyer përgjigje negative bazuar në legjislacionin aktual, nuk ka përse privilegjohet një universitet privat i vetëm, duke i dhënë gati monopol në këtë fushë. Dyshimet më të forta ngrihen për faktin se Këshilli i Akreditimit ka dhënë këtë vendim para se qeveria të bënte një ndryshim në VKM e vitit 2007 që ndalonte Universitetet private të jepnin doktoratura. VKM e ndryshuar e qeverisë është marrë vetëm para një jave, ndërkohë që Universiteti Evropian i Tiranës sot ka njoftuar ceremoninë e promovimit të programit të doktoraturave. Sipas drejtuesve të universiteteve private, kjo VKM nuk mund të ketë fuqi prapavepruese dhe nuk mund ti japë fuqi një vendimi të marrë në korrik, para se të ndryshohej VKM. (VKM e muajit Gusht që i heq monopolin Universiteteve publike për dhënien e titullit Doktor Shkencash, ndërkohë që UET është licencuar në muajin Korrik)Universiteti Evropian i Tiranës ndërkohë sot ka shpallur ceremoninë e fillimit të programit të doktoraturës. Sipas ligjit, vendimin përfundimtar për këtë e jep urdhri i ministrit të Arsimit, i cili ende nuk është marrë sipas Universiteteve private, por dhe burimeve nga Ministria e Arsimit. Ajo që ekziston deri tani është një shkresë e një Drejtori të Ministrisë së Arsimit, Avni Meshi, i cili në përgjigje të kërkesës së Universitetit Evropian të Tiranës për fillimin e programit, i thotë se është duke verifikuar statusin e këtij Universiteti, një detyrim ky formal, sipas procedurës. Shqetësimi i universiteteve rivale me UET, është se ai po bën fakt të kryer një program, i cili është licencuar në mënyrë të paligjshme dhe po starton në mënyrë të paligjshme.

Urdheri i Ministri te Arsimit Fatos Beja tek i cili eshte mbeshtetur vendimi per programin e doktoratures ne UET
Akuzat janë hedhur poshtë nga drejtuesit e Universitetit Evropian të Tiranës, të cilët pretendojnë se kanë shfrytëzuar një klauzolë ligjore të vitit 2009 për tu licencuar dhe se vonesa e urdhrit të ministrit është çështje procedure.