E Diel, 1 Nëntor 2026

Wikileaks: Gjunkshi kërkon 7 mijë USD për ushtar. Iraku nuk i do më paqeruajtësit shqiptarë për shkak të korrupsionit

Share

Ky është kabllogrami që ish- ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, i dërgon Washington-it me shqetësimin se trupat shqiptare që dërgohen në misione jashtë vendit janë të papërgatitur për shkak se dërgohen aty duke përdorur praktika korruptive. Një emër konkret që del është ai i Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura shqiptare, Xhemal Gjunkshi. Ai kërkon 7 mijë USD për një ushtar që shkon në Irak. Nëse nuk kanë para, atëherë atyre u kërkohet të merret kredi. Për shkak të këtyre praktikave korruptive, Iraku nuk pranon më ushtarët shqiptarë në vendin e tij. Fatkeqësia për Shqipërinë është se do të duhet të kthejnë ushtarët në vend pa mbaruar misioni në Irak e rrjedhimisht pa shlyer dot kredinë që kanë marrë për të paguar zyrtarët e korruptuar. Për këtë arsye, ata do dërgohen urgjent në Afganistan, që të marrin pagën plotësisht dhe të shlyejnë të babëziturit e këtij vendi. Më poshtë kabllogrami i plotë:

Ministria shqiptare e Mbrojtjes ishte e zhgënjyer kur mësoi se misioni i saj në Irak do përfundonte në fund të dhjetorit pasi Shqipëria nuk ishte përfshirë në listën e vendeve të koalicionit, të cilave qeveria e Irakut do u kërkonte të qëndronin. Një nga arsye mund të jetë praktika e vazhdueshme e të kërkuarit ryshfet kur përzgjidhen oficerët që dërgohen në këto misione jashtë vendit. Kjo praktikë korruptive nuk është e re dhe oficerët pretendojnë se kjo praktikë është ulur pak që kur qeveria amerikane e solli në vëmendje këtë çështje pak vite më parë. Por ata pranojnë se praktika ekziston akoma dhe e bën të vështirë të formohen njësi ushtarake koherente. Praktika është bërë subjekt ankimesh nga oficerët e nivelit të ulët.

Sipas dëshmive jozyrtare, komandantët superiorë kërkojnë 7 mijë USD për një ushtar që kërkon të dërgohet në Irak ose në Afganistan. Kjo shumë përfaqëson gjysmën e pagesës që një ushtar merr nga burimet ndërkombëtare gjatë misionit gjashtëmujor, duke supozuar se pagesa ditore është 80 USD. Shumica e oficerëve nuk e paguajnë dot këtë shumë përpara nisjes në mision, kështu që u kërkohet të merret një kredi, të cilën mund të paguajnë rregullisht duke dërguar gjysmën e pagesës që marrin kur janë në mision. Edhe pas këtyre pagesave, shuma që një ushtarak shqiptar merr është e mirë për një shqiptar dhe shumë ushtarakë janë gati të paguajnë ryshfetin. Por ka pasur së fundmi ankesa. Në tetor, një grup ushtarësh nga regjimenti i komandove shkroi një letër të panënshkruar për qeverinë shqiptare dhe dërgoi një letër tek ambasada amerikane, duke pretenduar se kolonel Xhemal Gjunkshi, komandant i regjimentit, kërkon këto ryshfete dhe është i përfshirë në të tjera skema korruptive; ata kërcënojnë se do i dërgojnë këto ankesa edhe tek gazeta New York Times.

Për shkak se misioni do të tërhiqet nga Iraku pa përfunduar gjashtëmujorin, ushtarakët nuk do paguajnë dot kreditë e tyre. Kjo është një arsye pse Ministria e Mbrojtjes po merr parasysh që të dërgojë këtë kopani nga Iraku menjëherë në Afganistan pas mbërritjes në Shqipëri, në mënyrë që ushtarët të mbarojnë së paguari kreditë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›