E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria korrigjon informacionin: Aleksandër Peci nuk ka vdekur, ka ende shpresë përmirësimi

Share

Aleksander Peci

Aleksandër Peci, ushtari i raportuar si i vrarë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes në Afganistan disa orë më parë, nuk ka vdekur. Ka qenë vetë ministria, e cila ka konfirmuar se ai nuk ka vdekur, por është në koma.

Informacioni i Ministrisë së Mbrojtjes është korrigjuar me shumë vonesë, dy orë pasi kishte dhënë lajmin për vdekjen e tij, duke shkaktuar kështu një gafë, pasi nuk e ka konfirmuar lajmin për vdekjen e tij.

Familjarët e Pecit thonë se po shpresojnë në një mrekulli. Më poshtë njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

“Në orën 17:15 minuta, Komandanti i Kontigjentit “Eagle 4″ në Kandahar, Afganistan, Nënkolonel Behar Mara njoftoi Qendrën e Bashkuar Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura se Nëntetar Aleksandër Peci, kishte ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Komandës ISAF (Rol 3) në Kandahar. I njëjti konfirmim ka mbërritur në orën 17:55 minuta nga ana e Komandës Ushtarake të NATO-s, në SHAPE, Belgjikë. Në orën 18:15 minuta, Ministria e Mbrojtjes njoftoi median për lajmin e hidhur pasi kishte njoftuar familjarët, ndërsa në 18:30 minuta kjo u konfirmua në konferencën për shtyp.   
Sipas një njoftimi të dytë nga Komandanti i  Kontingjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Nënkolonel Behar Mara, konfirmohet se Nëntetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi. 
Këtë lajm të mirë ia kemi përcjellë edhe familjes së tij. 
Ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore. Lutjet tona bashkohen me ato të familjes së Nëntetar Aleksandër Pecit, që ai të tejkalojë këtë moment të vështirë. Për çdo informacion të ri, Ministria e Mbrojtjes do tiu mbajë të informuar.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›