E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks, aferat e MEICO, i shiti armë Bosnjës e Kroacisë

TIRANE-Kompania shqiptare e shitjes së armëve, MEICO i shiti armë Bosnjës dhe Kroacisë, duke ndihmuar kështu luftërat në ish-Jugosllavi. Ka dyshime se kjo kompani donte të shiste edhe eksplozivin e rrezikshëm ekzagjen (RDX) që ndodhet në Mjekës, për të cilin ekspertët amerikanë kanë kërkuar largimin e menjëhershëm. Kjo bëhet e ditur në një kabllogram që ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers i ka dërguar Departamentit të Shtetit më 15 korrik 2009, një vit pas skandalit të Gërdecit. Dokumenti i publikuar dje nga “Wikileaks” ishte sekret dhe duhej të publikohej në vitin 2019.
Aferat
e MEICO-s
“Për shkak të përfshirjes në tragjedinë e Gërdecit, imazhi i kompanisë shqiptare të import-eksportit të armëve pësoi një goditje të rëndë vitin e kaluar. Për pasojë, drejtori Granit Leka pretendon se shitja e armëve nga Shqipëria është mbyllur thuajse fare, megjithëse Leka po punon për të rivendosur në vend imazhin dhe aktivitetin e MEICO-s”, theksohet në kabllogram. Për këtë qëllim, Leka ka kërkuar ndihmën amerikane në sigurimin e shitjeve legjitime të armëve në Afganistan. “Ne këshillojnë të mos jepet një ndihmë e tillë. Së pari ka shqetësime serioze lidhur me municionet shqiptare, që janë kryesisht sovjetike apo kineze të prodhuara 30 vjet më parë. Së dyti, përpjekjet për të shitur municion mund të nxisin hezitimin e stafit të Ministrisë së Mbrojtjes për të vazhduar demilitarizimin apo shkatërrimin e armëve, që është prioriteti ynë i sigurisë kombëtare për Shqipërinë”, - këshillon Withers. “Leka, gjithashtu i tha oficerit tonë politik se MEICO nuk është përfshirë në tentativat për të shitur municione dhe eksplozivë të mbledhur në Mjekës, por Ardian Shashaj në Ministrinë e Mbrojtjes e ka hedhur poshtë një deklaratë të tillë”.
Përfshirja në Bosnjë
MEICO u krijua në tetor 1991, pas rënies së komunizmit, dhe kishte për qëllim menaxhimin e municioneve që forcat ushtarake të regjimit të izoluar komunist të vendit kishin grumbulluar për vite të tëra. Në vitin 1991, qeveria socialiste me jetë të shkurtër, emëroi Ylli Pinarin si drejtor të parë të MEICO-s. Pinari luajti një rol të rëndësishëm si ndërmjetës i kompanisë derisa u arrestua në vitin 2008, pas skandalit të Gërdecit. Por drejtimi i tij zgjati vetëm një vit, pasi qeveria demokrate e zëvendësoi atë në vitin 1992. Me kreun e ri, demokratët emëruan edhe Granit Lekën në krye të fabrikës së municioneve në Mjekës. “Në vitin 1994, Leka bëri shitjen e parë ndërkombëtare të MEICO-s. Kroacia, e angazhuar në luftërat jugosllave dhe boshnjake bleu municione me vlerë 2 milionë dollarë. Pas kësaj, Leka u emërua drejtor i MEICO-s. Në vitin 1995, Bosnja bleu gjithashtu municione nga MEICO për t’i përdorur në luftë”, theksohet në mesazh. Sipas një burimi tjetër, specialist perëndimor, gjatë viteve ’90 Shqipëria i ka shitur eksplozivë RDX edhe Iranit. Një kontenier me 150 ton RDX ende ndodhet në fabrikën e Mjekësit dhe mban etiketën e Ministrisë së Mbrojtjes, destinuar për Iranin. Ministria e Mbrojtjes bëri një hetim jozyrtar dhe konfirmoi se nuk i është shitur eksploziv Iranit.
Ekzogjeni
Ekspertët amerikanë kanë shfaqur shqetësimet lidhur me praninë e eksplozivit ekzogjen (RDX) në Mjekës dhe kanë kërkuar që të hiqet. Leka thotë se as ai dhe as MEICO nuk janë përfshirë në përpjekjet për të shitur eksplozivin”, thuhet në kabllogram. Sipas të dhënave, një firmë çeke dërgoi në vitin 2008, përfaqësues hungarezë dhe kosovarë për të pyetur për eksplozivin. “Leka thotë se oferta iu duk joserioze dhe i ktheu mbrapsht. Por, përfaqësuesit bënë presion me anë të Shashajt për të kërkuar firmën e MEICO-s në marrëveshje. Pakti nuk është nënshkruar, por nuk është firmosur as urdhri për shkatërrimin e eksplozivit, siç u kërkuar nga këshilltarët amerikanë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›