Williams prezanton makinën e re FW44

Në pritje të startit të kampionatit botëror të Formula1 2022, skuderia Williams ka prezantuar makinën e re me të cilën do të synojë të përmirësojë rezultatet e një vitit më parë. Njëvendëshja quhet FW44 dhe do të jetë në dispozicion të pilotëve Nikolas Latifi dhe Alexander Albon, ky i fudnit zëvendëson të larguarin George Russell. Nuk do të ketë ndryshime ndërkohë përsa i përket drejtorit të përgjithshëm, ky post i ëshë besuar përsëri gjermanit, Jost Kapito, i cili pasi vlerëson performancën gjatë sezonit të fundit, tregon pritshmëritë për botërorin e ri.
“Jam i lumtur për progresin që kemi bërë, viti 2021 ishte i suksesshëm për ne, kemi arritur rezultate të rëndësishme pas podiumit në Belgjikë, shpresoj që ky entuziazëm të na shoqërojë edhe gjatë muajeve ne vijim” thotë fillimisht Kapito.
“Makinat tona të vitit 2022 prezantojnë një aerodinamikë revolucionare, në teori duhet të jemi më pranë makinave të shpejta, por diçka e tillë mbetet për tu vërtetuar në pistë, unë kam besim se do të vazhdojmë të rritemi si skuadër” deklaroi drejtori i përgjitshëm i Williams.
Më tej truri i skuderisë Williams flet edhe për dyshen e pilotëve Albon-Latifi që do të ulen në njëvendëshen britanike në këtë sezon.
“Latifi ka dhënë prova që mund të garojë në nivele të larta, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të Botërorit 2021, kurse Albon ka eksperiencën e duhur, është pilot agresiv dhe mendoj se do të na ndihmojë shumë. Unë shpresoj që makina të jetë po aq e shpejtë sa është e bukur, në mënyrë që pilotët tanë të japin maksimumin e tyre”, ishin fjalët e drejtorit të Williams.
Makina FW44 përgatitet për të zbritur në pistë në Barcelonë për testet e 23-25 shkurtit, që do të vijojnë më pas në Barhein më 10 deri 12 mars.