E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Elbasan, përfundon ndërtimi i një pjese të argjinaturës mbrojtëse përgjatë Shkumbinit

Në dy fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas të njësisë administrative Papër, Elbasan ka përfunduar ndërtimi i argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin, njofton ATSH.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja inspektoi nga afër përfundimin e punimeve të kësaj prite lumore, duke pohuar se “6 ha tokë në fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas, janë shpëtuar si pasojë e ndërtimit të argjinaturës, që herë pas here në raste shirash shkaktonte përmbytje dhe dëme në bujqësi”.

Në kohë reshjesh gjatë stinës së dimrit situata në këto dy fshatra bëhej e rrezikshme për 20 familjet që jetonin në këtë zonë, për shkak se lumi rrezikonte që t’i përmbyste.

Llatja tha se “ky ishte një investim jetik që i shpëton nga përmbytja dhe gërryerja banorët e asaj zone”.

Kryebashkiaku Llatja bëri të ditur se “po përgatitemi të bëjmë edhe një pritë lumore edhe në pjesën fundore në qytetin e Elbasanit me një gjatësi prej gati 2.4 km”.

Investimi në argjinaturën e lumit Shkumbin ishte më se i domosdoshëm për shkak së ndërhyrja aty kishte munguar prej shumë vitesh.

Në sinkron me argjinaturën e lumit Shkumbin, një tjetër investim në infrastrukturë ka përfunduar në fshatin Kuqan, i ardhur si pasojë e kërkesave të kahershme nga ana e tyre.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja ka parë nga afër përfundimin e rrugës së asfaltuar të këtij aksi rural që i vjen në ndihmë më shumë se 300 familjeve dhe fëmijëve për dy objektet arsimore më të afërta.

Llatja pohon se ishte kërkesë e kahershme e banorëve të fshatit Kuqan.

“Ne kemi një vëmendje të shtuar në të gjithë zonat rurale dhe periferike, dhe ky vit do të jetë i përqendruar në problematikat që kanë banorët në fshat, por edhe në qytet”, tha Llatja.

Rruga e re e lagjes së Kishës në Kuqan është një arterie e rëndësishme për 1500 banorë të asaj zone që tashmë gëzojnë një infrastrukturë me standarde.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›