E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wilton: Presim të bashkëpunojmë me qeverinë dhe parlamentin e ri

wiltonKryetari në detyrë i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, deklaroi se mirëpret përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar se OSBE është e gatshme për të bashkëpunuar me qeverinë dhe parlamentin e ri. Ne tani presim me dëshirë të bashkëpunojmë me parlamentin dhe qeverinë e re, që shpresoj se do të konstituohen pa vonesë, për ta shtyrë përpara axhendën e reformave të vendit dhe për të fuqizuar shtetin e së drejtës. Një demokraci funksionale, e cila ishte një aspiratë e shprehur nga qytetarët në votime, mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen dinamike të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, tha Wilton. Më tej ambasadori në detyrë i OSBE shton se nxitja e marrëdhënieve mes një Kuvendi të fortë e transparent dhe zgjedhësve të tij është një ndër veprimtaritë thelbësore të OSBE-së në Shqipëri dhe ne do të punojmë ngushtësisht me Kryetarin dhe anëtarët e Kuvendit për ta mbështetur këtë proces. Në përfundim, Wilton bën të ditur se prezenca e OSBE-së do të vijojë të jetë aktive në punën e saj lidhur me zgjedhjet në vend, duke u bazuar, gjithashtu, edhe në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të ardhshëm përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›