E Diel, 1 Nëntor 2026

Wilton: Zgjedhjet, procesi të mbyllet me stabilitet, të pranohet nga të gjitha palët

TIRANË- Kreu në detyrë së prezencës së OSBE-së, Robert Wilton ka zhvilluar sot një takim njohës me Avokatin e Popullit. 

Pasi kanë folur për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, Wilton i është përgjigjur edhe interesimit të mediave. Lidhur me zgjedhjet ai komentoi se pret raportin përfundimtar të misionit vëzhgues në Shqipëri, ndërsa theksoi se rëndësi ka që rezultati i tyre të pranohet nga të gjitha palët.

“Jam duke pritur raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, shpresoj që të merret seriozisht, të gjitha institucionet të respektojnë këto përfundime dhe ligjin. Shpresoj për një proces që të mbyllet me stabilitet dhe pranim të rezultatit nga të gjitha palët”, tha Wilton.

Një çështje tjetër për të cilën, Wilton shprehu mendimin e tij ishte edhe ajo e toponimeve. Sipas tij, ajo është një çështje që duhet negociuar mes qeverive. 

"Çështja e toponimeve ka të bëjë me qeveritë e dy vendeve duhet adresuar mes tyre. Di që Avokati i Popullit ka dalë në mbrojte të qytetarëve shqiptarë dhe këtë e vlerësojmë”, tha ai më tej.

Ndërsa për problemin e pronave dhe të pastrehëve, Wilton tha se duhet një zgjidhje afatgjatë që do i shërbente shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë.

“Cështja e pronave është fondamentale për demokracinë, për shtetin e së drejtës por edhe për thithjen e investimeve të huaja. Së bashku me BE ka pasur projekte të ndryshme, OSBE është e gatshme të vazhdojë me projekte por kërkohet një zgjidhje afatgjatë, kjo vlen edhe për të pastrehët”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët, Totozani shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit “Ne përfaqësojmë dy institucione bashkëpunuese në shumë fusha, si psh. aftësia e kufizuar, komuniteti LGBT, të drejtat e minoriteteve, etj. Ne njohim dhe vlerësojmë kontributin e OSBE për zhvillimin dhe forcimin e të drejtave të njeriut në mentalitetin e shoqërisë sonë”, tha ai.

Ndërsa Wilton shtoi se vizioni i tij mbetet, “të punuarit në partneritet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›