OSBE: Mbyllni me stabilitet zgjedhjet, partitë të pranojnë rezultatin
Tiranë- Ambasadori i OSBE-së, i sapoemëruar në vendin tonë, Robert Wilton, e ka nisur detyrën e re me një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani.
Sipas tij takimi ka ardhur për të rritur bashkëpunimin mes dy insitucioneve, ndërsa foli edhe për aktualitetin politik në vend. Sipas tij me shumë rëndësi do të jetë raporti përfundimtar i OSBE-së, ndërsa kërkoi mbylljen sa më shpejt të zgjedhjeve dhe nxjerrjen e rezultatit përfundimtar.
Jam duke pritur raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, shpresoj që të merret seriozisht, të gjitha institucionet të respektojnë këto përfundime dhe ligjin. Shpresoj për një proces që të mbyllet me stabilitet dhe pranim të rezultatit nga të gjitha palët,- tha Wilton.
Një tjetër pyetje që u shtrua nga gazetarët ishte problemi i toponimeve në pasaportat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, i cili sipas tij duhet të zgjidhet në marrëdhënie dypalëshe.
Në përfundim ambasadori foli për çështjen e të pastrehëve dhe atë të pronave, për të cilat tha se duhet të gjenden zgjidhje afatgjata dhe garantoi mbështetjen e prezencës së OSBE-së.
Ndërkohë pas takimit me ambasadorin, Totoznai ka dëgjuar shqetësimet e komunitetit rom, të cilët i jandë drejtuar atij për të kërkuar strehim. Avokati i Popullit u shpreh se institucioni që ai drejton do të bëjë gjithçka për ti ndihmuar.