Darka me delegacionin e KiE-së, Topalli refuzon Daden

Menjëherë pas takimit në Presidencë, kryetarja e Kuvendit organizon një darkë pune me delegacionin. Në darkë të ftuar anëtarët e delegacionit shqiptar në KiE, përfshi edhe Islamin e emëruar nga Topalli
TIRANË - Përveç problematikës disamujore për hapjen ose jo të kutive të votimit, përplasjet politike midis mazhorancës dhe opozitës nuk mungojnë as edhe në raste takimesh për dreka apo darka pune.
Pas negociatave për zgjidhjen e krizës politike, mbi dy orë në selinë e Presidencës, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, është ftuar rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme për një darke zyrtare e organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në morinë e të ftuarve ka qenë edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili për shkak të disa takimeve të mëvonshme, refuzoi të merrte pjesë. Për të njëjtat arsye, refuzimi ndaj ftesës së kryetares së Kuvendit ka ardhur edhe nga kreu i opozitës, Edi Rama, i cili ka sugjeruar deputeten Arta Dade të marrë pjesë në darkën zyrtare. Por, kryetarja e Parlamentit, Topalli, ka refuzuar në mënyrë kategorike që deputetja Dade të merrte pjesë në këtë darkë.
Ditët e fundit është parë një ashpërsi mediatike në qëndrimet e mbajtura mes dy politikaneve në karrierë, kryesisht nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila së fundmi e akuzoi deputeten Dade se nuk kishte dorëzuar makinën e deputetit në kryesinë e Kuvendit, një qëndrim ky që u përgënjeshtrua menjëherë nga Dade. Për shkak të refuzimit, pa asnjë shkak konkret të Dades, PS-ja nuk është paraqitur në darkën e punës së shtruar nga Topalli.
Pjesëtari i grupit Lëvizja për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, është propozuar nga Topalli që të plotësojë boshllëkun e deputetëve opozitarë në këtë tryezë edhe pse ai nuk përfaqëson linjën zyrtare të "selisë rozë". Emërimi i Islamit nga Topalli në delegacionin parlamentar të Shqipërisë në Këshillin e Europës, ishte një arsye më shumë nga ana e saj për ta ftuar në darkën e punës.
Në këtë darkë morën pjesë anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, përfshi këtu edhe deputetin e PDU-së, Shpëtim Idrizi. Kjo darkë midis përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe delegacionit të KiE-së është zhvilluar në kuadrin e aksionit politik të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike që mbizotëron në vend që prej zgjedhjeve të 28 Qershorit të vitit të kaluar, ndërsa mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë arritur në një pikëtakimi midis tyre që do t'i jepte fund edhe ngërçit politik.
******************
Takimi tek Topi, pa rezultat. Vijojnë negociatat në mesnatë me Ramën. KiE propozon disa variante. Fut në lojë Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias
Delegacioni i KiE, sërish tek Rama, në lojë Kushtetuesja e Venecia
TIRANË - Takimi pa zgjidhje i përfunduar mbrëmë në orën 19:30 në Presidencë mes kreut të shtetit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të opozitës, Edi Rama dhe delegacionit të Këshillit të Europës, nuk ishte i fundit për ditën e djeshme.
U duk sikur gjithçka u mbyll pikërisht me negociatat në Presidencë, për të vijuar sot me takime të tjera, por burime nga PS-ja deklaruan mbrëmë për "Shekullin" se kryetari i opozitës, Edi Rama, ka rinisur një tjetër takim me delegacionin e Këshillit të Europës në orën 22:15 të mbrëmjes për të vijuar deri në mesnatë.
Ndërkohë, edhe pse delegacioni i KiE-së do të dalë sot më një deklaratë zyrtare, mësohet se jo zyrtarisht ata kanë hedhur në tavolinë dy variante kryesore. Mësohet se ata i kanë kërkuar dy liderëve politikë që në "lojë" të hyjë Gjykata Kushtetuese dhe/ose Komisioni i Venecias lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare, vendim të cilin të dyja palët e kanë interpretuar në takimet e zhvilluara veças, në favor të tyre.
Versioni për ta çuar vendimin në Kushtetuese është hedhur poshtë nga Berisha, me argumentin se gjykata është shprehur një herë për këtë çështje. Ndërsa përfshirja e Komisionit të Venecias, që është një organ konsultativ i Këshillit të Europës për çështjet kushtetuese, është hedhur poshtë nga kryetari i opozitës, Edi Rama.
Propozimi për t'i nënshtruar për interpretim Komisionit të Venecias vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit 2003 për komisionet hetimore parlamentare, mësohet se është pranuar nga kryeministri Berisha, por jo nga kryetari i opozitës, Rama për të cilin hetimi i zgjedhjeve është një çështje parimore, dhe jo teknike.
Gjatë takimit të zhvilluar në Presidencë, delegacioni i KiE-së ka kërkuar nga liderët politikë që të normalizojnë jetën parlamentare dhe të ngrenë komisionin hetimor parlamentar, ndërkohë që përmes interpretimit, qoftë në Gjykatën Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias, të vendoset përfundimisht për kutitë e votimit. Për këtë të fundit, anëtarët e delegacionit nuk janë shprehur kundër, porse mekanizmat duhet të gjinden në Kuvend.
Takimi tek Topi
Në bulevardin "Dëshmorit e Kombit", në orën 17:00 të pasdites së djeshme një mori kameramanësh e gazetarësh të mediave vizive dhe atyre të shkruara mbërritën në pjesën përballë selisë së Presidencës, në pritje të takimit Rama e Berisha.
Këta të fundit u ulën sërish në tryezën e Presidentit Topi, por kësaj radhe me praninë e delegacionit të Këshillit të Europës, i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Çaushoglu. Por, ndryshe nga sa pritej, pas më shumë se dy orë negociatash të zjarrta, palët nuk arritën që të gjejnë një zgjidhje konkrete.
Gjithçka u shndërrua në një takim hermetik ashtu si dyert e jashtme prej hekuri të Presidencës, për t'u larguar prej saj në orën 19:30 të mbrëmjes së djeshme. E vetmja deklaratë zyrtare rreth takimit të zhvilluar në Presidencë erdhi nga zyra e shtypit e Presidencës, e cila konfirmonte se negociatat do të vijonin nesër.
"Në këtë takim mes personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës biseda u përqendrua në tryezën politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, të zhvilluar nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Nga ana e tyre, parlamentarët e Këshillit të Europës të kryesuar nga Presidenti Mevlut Kavushoglu e informuan Kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë ditës me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare. Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër", thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Në pritje të zgjidhjes...
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i cili zbarkoi në Shqipëri për të parë nga afër zbatimin e Rezolutës për zgjidhjen e krizës politike, nën drejtimin e Presidentit Mevult Çaushoglu dhe raporterëve David Uillshire dhe Jaako Laakso, zhvilloi një agjendë të ngjeshur takimesh me liderët politikë shqiptarë gjatë pjesës më të madhe të ditës së hënë, duke arritur t'i ulë ata sërish në bisedime.
Orari i takimit ishte lënë në orën 17:00. Por, vetëm në orën 17:12 mbërrin eskorta e Kryeministrit Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.
Vetëm disa minuta më vonë në selinë e kreut të shtetit do të gjendet lideri i opozitës Edi Rama, së bashku me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Ora 17:20 shënon edhe fillimin e bisedimeve midis palëve politike, duke parashtruar në tryezë kërkesat dhe qëndrimet e tyre, ndërkohë që gazetarë e kameramanë, në pritje të rezultateve të takimit, qëndrojnë jashtë godinës së Presidencës.
Takimi u zhvillua i gjithi me dyer të mbyllura, duke u mjaftuar vetëm me disa pamje filmike të xhiruara nga operatorët gjatë hyrjes dhe fillimit të takimeve midis palëve politike në Presidencë. Një pjesë e këtyre kameramanëve iu desh të qëndronin mbi 2 orë në selinë e Presidentit Topi në pritje të deklarate (pa pyetje) nga liderët e forcave politike, për të cilët ishin vendosur edhe dy podiume në sallën e madhe të Presidencës. Por, ndryshe nga ajo që pritej, asnjë prononcim për shtyp nuk u dha.
Rezultati i këtij takimi dhe premisat për zgjidhjen e krizën politike, priten të bëhen publike vetëm ditën e sotme (i paralajmëruar për në orën 10:30) ku delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të mbajë një konferencë për shtyp, që me sa duket ka gjasa të shtyhet, pas shkak të vijimit të negociatave mes palëve.
Kryeministri Berisha u shfaq optimist pas takimit me delegacionin e KiE-së
***************
Zgjedhjet, Berisha: I gatshëm që
të trajtoj problemet bilaterale
TIRANË - Takimin e zhvilluar tej limit kohor të përcaktuar me delegacionin e Këshillit të Europës, kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar të hapur dhe të frytshëm.
Ndryshe nga Topalli dhe Topi, kryeministri Berisha ka preferuar të japë konkluzionet e takimit vetëm në takimin e zhvilluar me grupin parlamentar demokrat."Sapo përfunduam një takim me Delegacionin e Këshillit të Europës, të kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të KiE, z. Mevlüt Çavuolu, që quhet në këtë rast, për sa i përket formimit të tij, Komiteti Presidencial.
Në takimin tim, unë e falënderova shumë Këshillin e Europës, për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë; për rezolutën, por edhe delegacionin, i cili ka ardhur në frymën e rezolutës të ndihmojë me praninë e tij dhe mendimet e tij, zhvillimet pozitive në vend.
Unë mendoj se takimi ishte një takim shumë i hapur, i gjerë, i frytshëm dhe shpreha në këtë takim disponibilitetin e plotë timin, të qeverisë, të koalicionit qeveritar për të trajtuar në mënyrën më serioze, më konstruktive të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri", - tha dje Berisha para deputetëve. Ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri Berisha nuk është ndalur me gjatë në këtë çështje.
Axhenda e takimit të delegacionit të KiE-së
Ora
09:15-10:15 takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Delegacioni hyri në Presidencë në masa të larta sigurie dhe qëndroi brenda plot një orë. Pas më shumë se një ore pas takimit, Presidenca del me një njoftim zyrtar
Ora
10:30-11:30
Takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Pas takimit me kreun e shtetit, në orën 10:30 delegacioni ka zbarkuar në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës.
Vetëm dy orë pas takimit, Kuvendi del me një deklaratë zyrtare mbi takimin e zhvilluar.
Ora
11:45-13:17
Fillon takimi me kryeministrin Sali Berisha. Pas takimit më kryetaren e Kuvendit, delegacioni është drejtuar në këmbë për në godinën e kryeministrisë. Në këtë takim, kryeministri Sali Berisha shoqërohej nga shefi i kabinetit, Oerd Bylykbashi dhe këshilltari Glori Hysi. Takimi zgjati më shumë se një orë. Në orën 13:40 Berisha flet para grupit parlamentar për takimin e zhvilluar
Ora
15:30-16:55
Takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ky i fundit ishte shoqëruar edhe nga 9 deputetë të PS-së, ndërkohë që takimi ka vijuar në kufijtë limit të lejuar, deri në orën 16:55
Ora
17:17- 19:29
Fillon takimi i dytë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në këtë takim morën pjesë delegacioni i KiE-së, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte i shoqëruar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së, Gramoz Ruçi.
Ora
Sot 10:30
Në përfundim të vizitës së tyre në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), Mevlut Çausholu, dhe liderët e pesë grupeve parlamentare së bashku me bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë do të japin një konferencë për shtyp në orën 10:30 që me shumë gjasë mund të shtyhet për shkak të vijimit të negociatave edhe sot.
Menjëherë pas takimit në Presidencë, kryetarja e Kuvendit organizon një darkë pune me delegacionin. Në darkë të ftuar anëtarët e delegacionit shqiptar në KiE, përfshi edhe Islamin e emëruar nga Topalli