E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Mbi KQZ puç adminstrativ. Shqiptarët do votojnë për demokraci, ose kthim në diktaturë

Vetëm tre javë para mbajtjes së zgjedhjeve në vend, një zë kritik nga SHBA e sheh me shumë skepticizëm situatën parazgjedhore në Shqipëri. Ish ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers,në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet se në një mjedis tejet të politizuar dhe me një parti që jo vetëm konkuron në zgjedhje, por edhe të kontrollon zhvillimin dhe administrimin e tyre do të duhet një vizion më i qartë për ta kaluar me sukses të gjithë proçesin.

Unë vazhdoj të mbetem i shqetësuar për dy arësye: së pari për administratën, për vetë zhvillimin e zgjedhjeve. Mendoj se në një mjedis kaq të politizuar sa ai në Shqipëri këto ditë, që një parti, jo vetëm të konkurojë në zgjedhje, por edhe të kontrollojë zhvillimin dhe administrimin e tyre, këtu ka konflikt të thellë interesi. Do të duhet një vizion më i qartë, një përkushtim më i madh, një besnikëri më e lartë, ndaj një të mire më të lartë, që një situatë e tillë të kalojë me sukses tha ai.

KQZ është një nga elementët që ai i konsideron si konflikt interesi të mazhorancës. Për zotin Withers, ndryshimet në KQZ ishin një puç administrativ për të marrë kontrollin e plotë mbi të.

Ajo që ka ndodhur me KQZ-në ishte një marrje pushteti, unë e quaj një grusht-shteti administrativ. Ishte në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kodin elektoral dhe përtej përgjegjësive të parlamentit për të votuar për të. Pra ishte një përpjekje e partisë në pushtet për të marrë kontrollin e plotë mbi KQZ-në. Rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të lojës. Edhe fëmijët e shkollës e dinë këtë, rregullat e lojës nuk ndryshohen kur ajo ka filluar, thjesht për të siguruar përfitim partiak. Unë nuk jam i vetmi që besoj se kjo lëvizje ishte e paligjshme. Praktikisht të gjithë në komunitetin ndërkombëtar, që e kanë shqyrtuar atë që ndodhi, janë të të njejtit mendim. Nëse partia në pushtet do ta kishte realizuar pretendimin e saj në një formë ligjore dhe etike, që KQZ-ja të ri-organizohej, do të ishte gjë tjetër, por të ndërhysh me parlamentin, përkundër kundërshtimit të palës tjetër që merr pjesë në zgjedhje, kjo nuk ka emër tjetër, veçse të sigurosh avantazh politik. Është për të ardhur keq pasi vendi tani shkon në zgjedhje me një KQZ të deformuar dhe të gjymtuar. Unë po ashtu kam shqetësime edhe për listat e votuesve. Kur listat lihen në dorën e një ministrie të brendshme që ka kaq shumë punonjës politizuar, si mund të besosh se pas gjithë këtyre viteve, listat e votave janë të rregullta? Si ka mundësi kjo? Këto nuk janë zgjedhjet e para që po zhvillohen në Shqipëri. Përse lista e votuesve nuk është një regjistrim i pakontestuar dhe i besueshëm i banorëve me të drejtë vote? Përsëri, shqetësimi im është se kjo bëhet për përfitime politike shprehet ish Ambsadori i SHBA-së në Tiranë.

John Withers ka komentuar edhe pikëpyetjet e mëdha që la pas vizita e Drejtorit për Ballkanin në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore, nëse Uashingtoni flet me një zë apo jo.

Mendoj se ajo që shikuesit tuaj nuk duhen të harrojnë asnjëherë është se ka një qeveri amerikane dhe qeveria amerikane ka një qëndrim, një politikë. Jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë problemet në botë. Ky qëndrim përcaktohet pas diskutimesh të shumta të brendshme, disa herë ka edhe debate për to. Por pas këtij debati, që me termat amerikane, është një gjë shumë e shëndetshme, qeveria arrin në formulimin e qëndrimit të saj. Dhe ky qëndrim është i vlefshëm si për Ambasadën në Shqipëri, ashtu edhe për burokracinë në Uashington. Nuk e kam lexuar ende transkriptin e atyre që tha Jonathan Moore. Unë e njoh atë prej shumë vitesh, por do të isha shumë i kujdesshëm me mënyrën se si shtypi në Shqipëri e ka interpretuar këtë. Kam parë pjesë të tyre. Duhen lexuar me kujdes ato që tha ai, jo ashtu siç i ka interpretuar shtypi ato tha ai.

Në këtë mënyrë ai ka përjashtuar faktin se në qëndrimin ndaj Shqipërisë mund të mospërputhje mes atyre që thonë zyrtarët lokalë amerikanë atje, pra ambasada dhe atyre që thotë Departamenti i Shtetit në Uashington. Ndërkaq ai vlerëson se këto zgjedhje do të përcaktojnë në se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë demokraci, apo do të rrëshqasë pas në diktaturë.

Unë do isha shumë i habitur në se do të kishte. Pa dyshim unë nuk flas për qeverinë sot, por nga përvoja ime, do të befasohesha në se dallimet që mundohen të gjejnë njerëzit aty, vërtetë ekzistonin. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është se Ambasadori Arvizu flet për Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Ai është përfqësuesi zyrtar i tij. Pra për çdo sqarim, ai është personi që duhet pyetur. Dhe ai do tju tregojë të vërtetën. Ambasadorët amerikanë thonë të vërtetën. Por në një kuptim më të gjerë, nuk ka rëndësi mendimi i Jonathan Moore-it, ose i të huajve të tjerë. Shqiptarët vetë e dinë të vërtetën. Ata e dinë çfarë ndodh. Duke e ditur këtë të vërtetë ata duhet ta kthejnë mendimin e tyre në votë. Duhet të shohin situatën në terren. E kam thënë shpesh herë, këto zgjedhje do të përcaktojnë në se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë demokraci, apo në se vendi do të rrëshqasë pas në diktaturë. Shqiptarët duhet të shohin tek vetvetja dhe jo të përpiqen të shohin se çfarë është në mendjen e burokratëve të Departamentit të Shtetit dhe të votojnë sipas asaj që besojnë, që për mua është të votojnë për ndryshimin tha ndër të tjera Withers.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›