E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Nuk ka justifikim për dhunën në media

Ambasadori amerikan John Withers ka shfrytëzuar një diskutimin të organizuar nga Unioni i Gazetarëve, "Midis lirisë dhe informalitetit" për të deklaruar se nuk ka asnjë arsye që të justifikojë dhunën ndaj medias dhe ndaj gazetarëve. "Asgjë nuk justifikon dhunën në media. Mero Baze ka bërë shkrime kritike për dhunesit. Sado shkrime kritike të jenë bërë, asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj një gazetari", theksoi ai. Withers kërkoi përgjigjen e shpejtë të institucioneve lidhur me këtë çështje. Ambasadori amerikan pohoi se është shumë e rëndësishme që veprime të tilla të parandalohen. Sipas amabasadorit amerikan, dhuna ndaj Bazes nuk është rasti i parë i dhunës në media. John Withers theksoi se tashmë Shqipëria kërkon të jetë anëtare e BE-së ndaj duhet të tregojë se meriton të anëtarësohet. Ambasadori amerikan përgëzoi deklaratën e kreut të qeverisë Berisha për lirinë e medias dhe të shtypit. Withers i bëri apel gazetarëve të mos dorëzohen para presioneve.
Edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch ishtë në të njëjtën linjë me ambasadorin amerikan Withers duke dënuar dhunën në media. Ai theksoi se misioni i OSBE-së në Shqipëri përfshin edhe lirinë e medias, ndaj kjo është arsyeja që OSBE dënoi aktin e dhunës ndaj Mero Bazes. Bosch bëri apel që të krijohet mundësi që të shprehet mendimi i lirë. Bosch theksoi se OSBE do të punojë për promovimin e lirisë së medias.
Analisti Andi Bushati pohoi se rasti i gazetarit Mero Baze tregon se gazetarët janë të rrezikuar. Sipas tij, ambicia për të treguar të vërtetën në Shqipëri, mbetet e rrezikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›