Withers vlerëson OSBE/ODIHR: Objektiv dhe i mirëmenduar
TIRANË- Të mirëmenduar dhe objektiv e ka quajtur ambasadori amerikan John Withers, raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në vendin tonë. Përmes një deklarate për shtyp, Withers pranon se janë shënuar përmirësime, por ka ende mangësi që mbeten për t'u rregulluar.
"Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces"- thuhet në deklaratën e diplomatit amerikan.
Withers ka pohuar se është në një mendje me gjetjet e raportit dhe "nxit autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votime të ardhshme."
"Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet që, në përgjithësi, ishin të mirë-administruara dhe të qeta. Tani presim përfundimin e numërimit të votave si dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt."- thuhet në deklaratën për shtyp.