Witkoff takon familjarët e pengjeve: SHBA do të angazhohet për kthimin e të rrëmbyerve në shtëpi

Steve Witkoff, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, u takua të shtunën me familjet e pengjeve izraelite që mbahen ende në Gazë, ndërsa rritet frika për mbijetesën e të rrëmbyerve gati 22 muaj pas fillimit të luftës së shkaktuar nga sulmi i Hamasit.
Witkoff u prit me lutje për ndihmë nga qindra protestues të mbledhur në Tel-Aviv, përpara se të zhvillonte takimin me dyer të mbyllura. Protestat janë intensifikuar në Sheshin e Pengjeve në Tel-Aviv pas publikimit të videove që tregonin dy pengje teksa mbaheshin në kushte të këqija në tunelet e Gazës.
Shtetet e Bashkuara, bashkë me Egjiptin dhe Katarin, ndërmjetësuan bisedimet për armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit, që do të siguronin lirimin e pengjeve, por u ndërprenë.
Kryeministri izraelit është nën presion në rritje për të gjetur një mënyrë alternative për lirimin e pengjeve. Ai po përballet gjithashtu me thirrje ndërkombëtare për të hapur kufijtë e Gazës për më shumë ndihma ushqimore, pasi OKB-ja dhe agjencitë humanitare paralajmëruan se më shumë se dy milionë civilë palestinezë po përballen me urinë.
Ndërkohë gjenerali më i lartë i Izraelit paralajmëroi se nuk do të ketë ndërprerje të luftimeve në Gaza nëse pengjet nuk lirohen.
“Ditët në vijim do të dimë nëse mund të arrijmë një marrëveshje për lirimin e tyre,” tha shefi i shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir. Nga 251 personat e rrëmbyer nga Hamasi në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, 49 prej tyre janë ende në Gazë, 27 prej të cilëve të vdekur, sipas ushtrisë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/