E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollafarth: Plotësimi i KQZ duhet të jetë në krye të axhendave të partive

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka deklaruar sot se  plotësimi i vendeve vakante në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve duhet të jetë në krye të axhendave të partive politike në vend.

Në një prononcim për mediat, ambasadori Wollfarth duke iu referuar situatës në KQZ theksoi se ecja përpara drejt integrimit kërkon një stabilitet institucional.

Unë e kam përmenduar edhe para disa ditësh se të pasurit e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës. Ndihej të ketë një ndjenjë konstruktiviteti në vend para zgjedhjeve. Sigurisht zgjedhjet dhe përgatitjet e zgjedhjeve janë një element që përfshin KQZ-në, por ajo që është më shumë kontruktive është që partitë politike të flasin edhe për atë që do bëhet pas 23 qershorit.  Unë uroj që të ketë një vendim sidomos nga Parlamenti duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është ecja përpara drejt integrimit dhe sa i rëndësishëm është stabiliteti institucional.  Kjo është një dëshirë e imja si një mik i shqiptarëve dhe jo apel tha Wollfarth.

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë u shpreh optimist sa i përket vendimit që do të merret në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit për 3 ligjet ndërsa shtoi se do të donte të shihte më shumë bashkëpunim mes palëve.

Çfarëdo lloj vendimi që të merret do të jetë një vendim i duhur, sovran dhe në të mirë të shqiptarëve. Miratimi i tre ligjeve është shumë i rëndësishëm dhe po aq e rëndësishme është edhe lufta ndaj korrupsionit dhe trafiqeve dhe elementëve të tjerë. Por këtë ndjesinë e konstruktivitetit unë do të doja që ta shihja më shumë përfundoi Wollfarth.

Deklarata e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth u bë pas aktivitetit të organizuar në qendrën TEN për trajnimin e një grupi të verbërish, për të votuar në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›