Wollfarth: Partitë politike,mbështetje për zgjedhjet vendore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, iu bashkua sot Presidentit të Republikës Bamir Topi në thirrjen ndaj të gjitha partive politike për të mbështetur përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e qeverisjes vendore të 8 majit 2011.
"Qytetarët shqiptarë do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar më 8 maj 2011, në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës. Dita e zgjedhjeve po afrohet me shpejtësi, koha po kalon," tha Ambasadori Wollfarth.
"Për këtë arsye, u bëj sërish thirrje të gjitha partive politike të njohin detyrimet e tyre ligjore dhe të respektojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të votuar. Unë i nxis ato parti politike, që deri tani nuk kanë dhënë kontributin e tyre për përgatitjet e ndershme dhe transparente duke mos propozuar komisionerë, ta bëjnë këtë pa humbur më kohë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbështetet nga afër në detyrën e tij për të caktuar të gjithë anëtarët e komisioneve në të 66 zonat e administrimit zgjedhor. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme të mbështesë Shqipërinë edhe në këto zgjedhje demokratike" tha me tej Wollfarth.