Këshilli i Mandateve shqyrton për imunitetin e Metës
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka nisur shqyrtimin e kërkesës se Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit për deputetët Ilir Meta lidhur me hetimet për videon e publikuar pak kohë më parë në media.
Këshilli i Mandateve ka vendosur se gjatë mbledhjes së sotme të shqyrtohet kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta ndërsa nesër do të shqyrtohet heqja e imunitetit për deputetin Dritan Prifti.
Në fjalën e tij në Këshillin e Mandateve deputeti Meta e cilësoi këtë mbledhje si të vonuar pasi sipas tij kërkesa për heqjen e imunitetit është bërë nga vetë ai.
“Kjo është një seancë e vonuar dhe kjo jo për faj të Kuvendit pasi që në momentin që është shfaqur një video-përgjim kam kërkuar që prokuroria të hetojë çështjen dhe kam shkuar vetë në prokurori” theksoi Meta.
Duke e cilësuar sërish video-përgjimin si montazh të mirëfilltë politik Meta theksoi se mbi këtë video u ndërtua një skenar dhune.
“Manipulatorët e video përgjimit sajuan përralla por gjithsesi unë jam i gatshëm të bashkëpunoj menjëherë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Jam i zhgënjyer nga prokuroria pasi ajo e nisi çështjen mbi publikimet në media” theksoi Meta duke shtuar se është bërë ç`është e mundur për të bashkëpunuar me organin e akuzës dhe i kam kërkuar asaj të përshpejtojë proçeduarat.