Wollfarth: Policia të mbrojë diversitetin

Policia e shtetit fillon trajnimin e efektivëve të saj mbi çështjet e diversitetit. Me anë të këtij trajnimi që asistohet nga prania e OSBE-së synohet respektimi dhe mbrojtja e individit pavarësisht etnisë, rracës apo besimit.
Kreu i OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth e cilësoi diversitetin si çështje me shumë rëndësi dhe i takon policisë që të jetë e para që të mbrojë këto të drejta.
“Respektimi dhe mbrojtja e deversitetit është pjesë e konventave ndërkombëtare. Diversiteti ka të bëjë me marrëdhënien mes shtetit dhe kulturave të ndryshme dhe mes shtetit dhe individëve. Kjo do të thotë pranim i veçantisë së çdo individi pavarësisht rracës, gjinisë, ngjyrës etj” tha Wollfarth.
Ndërsa për drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Hysni Burgaj këto trajnime janë të rëndësishme,pasi paraprijnë ndryshimeve në polici. Ndërsa qëllimi mbetet krijimi i një kulture për diversitetin,i cili është një objektiv për tu plotësuar dhe më pas për tu menaxhuar nga policia.
Ky trajnim u organizua nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ndihmoi kolegji i policisë skoceze me ofrimin e ekspertizës në trajnim. Pjesë e këtij trajnimi do të jenë 14 punonjës të Policisë së Shtetit.