E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Reforma Zgjedhore të përfundojë brenda afateve

TIRANË- Ambasadori i OSBE në Tiranë Eugen Wollfarth, përsëriti sot nevojën e përfundimit brenda të gjitha afateve kohore të reformës zgjedhore në vend. Diskutimet, sipas tij duhet të përfshijnë të gjitha palët politike.

“Në fakt për këtë arsye është e rëndësishme që koha të përdoret më së miri dhe është e rëndësishme të krijohet një klimë e mirë brenda komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, një klimë konstruktive që të mund të bëhen draft-propozime të mira. Vendi ku duhet të diskutohet është komisioni parlamentar për këtë reformë, ku duhet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga të gjitha partitë politike. Me rëndësi është edhe komunikimi me shoqërinë civile”, tha Wollfarth në përfundim të konferencës së mbajtur mbi nënshkrimin e marrëveshjes mes zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, Wollfarth.

Ambasadori i OSBE komentoi dhe cështjen e numërimit elektronik duke e cilësuar këtë një proces efikas.
“Mund të jetë efikas por varet nga sistemi që përdoret, dicka që s’mund të të zëvendësohet është besimi që njerëzit duhet të kenë në këtë sistem”, komentoi ai më tej.

I pyetur nëse zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me konsensusin mes palëve përderisa me sistemin aktual mazhoranca mund ta zgjedhë vetëm me votat e saj, kreu i OSBE-së në Tiranë tha se Kushtetua e ofron zgjidhjen.
“Kushtetuta aktualisht e lejon zgjedhjen e presidentit vetëm me votat e mazhorancës, por unë mendoj që është e rëndësishme që të përdoret sa me mirë koha që ka mbetur për të zgjedhur një kandidat ose kandidatët e përshtatshem”, tha Wollfarth.

Wollfarth tha se është shumë i rëndësishëm miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, pasi është një institucion, i cili do të ndihmojë shumë bizneset dhe zgjidhjen e konflikteve administrative në vend. Wollfarth tha se do ta përshëndeste me shumë kënaqësi arritjen e konsensusit nga pozita dhe opozita.
“Është e rëndësishmë që të ketë një miratim, por para se të arrihet në një konsensus është diskutimi dhe unë do të përshëndesja nëse në një të ardhme të afërt do të arrihet një konsensus sepse Gjykata Administrative është shumë e rëndësishme për investimet në vend për zhvillimin ekonomik, për hapjen e punëve që janë pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi”, deklaroi Wollfarth.

(ma.ar/d.b//BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›