E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji: Të numërohen të gjitha fletët e kontestuara në Tiranë

Gara në Tiranë mund të konsiderohet sërish e hapur. Pas mesnatës, Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë pjesërisht padinë e Partisë Socialiste për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Kolegji, në vendimin e tij urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërojë të gjitha votat e kontestuara në të gjitha kutitë. Gjatë leximit të vendimit, relatorja e kësaj çështje, gjyqtarja Dhurata Haveri njoftoi pranimin e pjesshëm të padisë së Partisë Socialiste, për sa i përket votave të hedhura në kutinë e gabuar. Por, Kolegji rrëzoi kërkesën e opozitës për rezultatin e 117 kutive të hapura nga KQZ pas datës 14 maj, ku numri i votave ishte më i madh se numri i personave që kishin votuar. Ky vendim i Kolegjit do të sjellë hapjen e të gjitha kutive, ku ka shënime nga ana e komisionerëve për fletë të kontestuara dhe rezultati i tyre do t’i bashkangjitet rezultatit të deritanishëm që ka KQZ. Ky vendim është gjithëpërfshirës, që do të thotë se nuk do të numërohen vetëm fletët e kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por edhe për kryetarët e njësive bashkiake, për anëtarët e këshillit të Bashkisë së Tiranës dhe këshillit të njësive bashkiake. Pra do të rinisë e njëjta praktikë e ndjekur nga KQZ që numëroi fletët e hedhura në kutinë e gabuar, çka duket se do të kërkojë kohë për të zbardhur rezultatin përfundimtar dhe bashkë me të edhe fituesin e Bashkisë së Tiranës. Kjo ishte padia e tretë e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, që u shqyrtua nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Fillimisht në Kolegj u depozitua padia për mosmiratimin nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e tabelës përmbledhëse të KZAZ numër 49 në Tiranë. Në kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja thuhej se, në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi këtë tabelë. Kolegji vendosi të pushojë këtë padi të socialistëve, për shkak se veprimi i cili ishte pretenduar si i pakryer nga KQZ, në momentin e shqyrtimit ishte realizuar. Më pas, Kolegji shqyrtoi ankimimin e dytë të Partisë Socialiste e cila kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ, të datës 13 maj dhe 23 maj, për numërimin e votave hedhur në kutinë e gabuar. Vendim që nxori fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, kandidatin demokrat Lulzim Basha, me 81 vota avantazh. Më datën 3 qershor, Kolegji vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit numër 709, datë 23 maj 2011, të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i trupit gjykues Tom Ndreca lexoi pas orës 21:00 të darkës, vendimin e marrë nga Kolegji, ndërsa deklaroi se pushohet edhe gjykimi i çështjes me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shqyrtimi i ankimimeve për rezultatin e Bashkisë së Tiranës mori më shumë se një muaj kohë nga 8 Maji, kur qytetarët shqiptarë ju drejtuan kutive të votimit për të përzgjedhur kandidatin e preferuar. Tensioni politik njohu rritje pas datës 14 maj, kur përfundoi procesi i numërimit të kutive për kreun e Bashkisë së Tiranës, në të gjitha ZAZ-të e kryeqytetit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inicioi procesin e rivlerësimit të fletëve të kontestuara, duke ja bashkuar rezultatit final. Nga plus 10 vota në avantazh të kandidatit të opozitës, Edi Rama, rezultati arriti në plus 81 për kandidatin e mazhorancës, Lulzim Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›