“Wolt Albania” dhe “One Albania”, si organizata kriminale/ Shpërndarje droge në Tiranë me motorristë, drejtorë dhe dyqane…

Policia e Tiranës goditi pak ditë më parë një grup kriminal me 33 anëtarë, i cili ushtronte veprimtari të shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit, duke përdorur metoda të kamufluara si taksi dhe motoçikleta të shpërndarjes së ushqimit.
Nga hetimet ka rezultuar se një prej të arrestuarve, Erdison Gjella përdorte një motoçikletë shpërndarjeje picash, e loguar si “Wolt Albania“, për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm.
Shpërndarja e kokainës nga motorristat e “Wolt Albania” nuk është një rast i izoluar. Policia po heton edhe raste të tjera, ku punonjës të kësaj kompanie, nën kamuflimin e shpërndarjes së ushqimit, ushtrojnë aktivitet të paligjshëm duke shpërndarë lëndë narkotike.
Ndërkohë, siç e kemi raportuar edhe më herët, dy drejtorë të rëndësishëm të kompanisë “ONE Albania“, kishin rol kyç në bandën e shpërndarjes së drogës në Tiranë.
Erald Sina, me detyrë Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë në “ONE Albania” dhe Artan Pullazi, i cili rezulton kreu i ekipit të transportit në këtë kompani, dyshohet se kanë vënë në dispozicion infrastrukturën e “One Albania”, si dyqane, makina etj., për shpërndarjen e lëndës narkotike.
Gjykata lë në burg të arrestuarit
Ditën e sotme, Gjykata Penale e Tiranës ka marrë vendimin për masat e sigurisë, mbi personat e arrestuar vetëm para pak ditësh në kryeqytet, në kuadër të operacionit “Labirinti 2”.
Kështu për 22 personat e akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotive në Tiranë, u caktua masa e sigurisë “Arrest me burg”.
Personat ndaj të cilëve u caktua kjo masë sigurimi: R.D, E.P, A.H, O.M, F. Ç, Xh.B, L.M, A.P, E.S, G.V, V.B, O.H, D.A, A.M, M.M, ,J.H, E.Gj, A.B, K.Rr, I.N dhe G.K. Të arrestuar për shpërndarje narkotikësh.
Të vetmit që ju caktua masë më e butë sigurimi ishte B.M, për shkak se ai kishte nënën të verbër dhe të vëllanë të paralizuar.