E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikona e re e Chanel

Vanessa Vanessa Paradis rikthehet në skenë pas 18 vjetësh në formën e saj më të mirë, në një reklamë për firmën “Chanel”. Aktorja, shoqja e Johnny Depp, prezanton buzëkuqin e ri për të gjitha ato gra që dëshirojnë të duken më të bukura, me gjestin më femëror të botës

Ajo është një nga femrat që lakmohet më shumë në botë, ikonë e bukurisë dhe shoqja e Johnny Depp, piratit më seksi të kinemasë. Së bashku do të interpretojnë dhe filmin e parë, “My american dream”. Ndërsa i shoqi zbavitet mes miliona fansave me interpretimin e rolit të kapelabërësit të çmendur në filmin “Liza në botën e çudirave” të regjisorit vizionar Tim Burton, të cilit duket se nuk i pëlqen të hedhë asnjë hap pa divin e tij të preferuar Johnny Depp, edhe Vanessa Paradis, vazhdon të korrë sukses. Kohët e fundit është bërë i ditur lajmi se aktorja, imazhi i botës së modës franceze, do t’i rikthehet dashurisë së vjetër, “Chanel”-it. Zonja Depp, ose më saktë modelja Vanessa Paradis, vazhdon të pozojë për fushata të ndryshme e të suksesshme publicitare: reklama e fundit është roli i saj si ikonë e “Chanel”. Në të kaluarën, Vanessa ka marrë pjesë edhe në një reklamë tjetër të “Chanel” dhe mesa duket mjeshtri Karl Lagerfeld nuk ka reshtur duke u ndier i frymëzuar prej saj dhe kështu ka vendosur t’i telefonojë për fushatën tjetër publicitare të “Coco Cocoon Chanel”, fotografitë e së cilës janë bërë nga stilisti gjerman. Vanessa dhe Karl kanë bashkëpunuar për një fushatë tjetër publicitare të linjës “Cambon” në vitin 2004. Duhet të presim fillimin e muajit qershor për të parë rezultatet e bashkëpunimit të radhës mes Lagerfeld dhe aktores. Ndërkohë duket se po bëjnë provat për një shërbim tjetër që stilisti-fotograf do të realizojë për revistën franceze “Figaro Madame”. Stilisti i “Chanel” duket se është i përfshirë në shumë nisma të ndryshme: reklama, sfilata dhe bashkëpunime të tjera. Thuhet se shtëpia e tij e modës është në pritje të një çmimi nderi.
Buzëkuqi është aksesori i padiskutueshëm i bukurisë femërore dhe shumë sensual. është sinonim i joshjes, i tërheqjes e feminilitetit. është pikërisht ai që, pas një shekulli sukses në buzët e grave, mban rekordin e produktit kozmetik më të përdorur në botë. 80 për qind e grave e përdor çdo ditë për të ndryshuar ngjyrën e buzëve, duke vendosur në garë VIP-a, yje të muzikës dhe kinemasë, për të marrë titullin e buzëve më të bukura. Buzëkuqi u bë popullor vetëm në vitet 1500, gjatë kohës së sundimit të Mbretëreshës Elizabet, që përdorte një përzierje të veçantë dylli me një ngjyrues bimor. Në shekullin XIX, Mbretëresha Viktoria e cilësoi makijazhin si një mallkim. Konsiderohej si diçka vulgare, që përdorej vetëm nga aktoret dhe prostitutat. Pas Luftës së Dytë Botërore shpërndarja e produkteve kozmetike u përhap në të gjithë botën perëndimore. Përdorimi i buzëkuqit u përhap më shumë falë kinematografisë, sidomos filmave të prodhuar në SHBA gjatë këtij konflikti. Lindja e buzëkuqit në këtë formë që njohim sot, i takon vitit 1915, kur u shpik nga një amerikan me emrin Maurice Levy.

Vanessa Paradis dhe buzëkuqi “Rouge Coco” “janë takuar” për herë të parë në setin e regjisorit francez Jean Baptiste Mondino dhe ishte “dashuri” me puthje të parë. Një skenë e thjeshtë dhe e përditshme, një vajzë e re që ngrihet nga shtrati dhe lyhet para pasqyrës. Me buzëkuqin e “Chanel”, Vanessa bëhet imazhi i freskët i sensualitetit, si ai që i atribuohet femrave të viteve ‘40, të cilat kanë mësuar vajzat dhe gratë e viteve pasardhëse që ta përdorin atë buzëkuq mitik. “Mendoj se buzët e lyera me të kuqe janë seksi, por nuk është e lehtë për t’i puthur”, ka thënë ajo. Vanessa është një nga aktoret që preferon më shumë t’i lyejë buzët me të kuqe të ndezur. Sipas stilistëve, kjo ngjyrë është sinonim i dashurisë dhe lumturisë. Mënyra se si femrat lyhen, flet dhe tregon shumë për atë çka ato mendojnë, përçojnë apo jetojnë. Sigurisht që deshifrimi i gjuhës së tij nuk është aq i thjeshtë sa ai i tatuazheve, por sërish është i lexueshëm. “Makijazhi ndikon shumë në humorin e gruas, por njëkohësisht u flet edhe meshkujve. është një guidë për të përçuar mesazhe”, thotë aktorja bukuroshe Vanessa Paradis.

Peter Philips, grimieri i “Chanel”, ka menduar për ikonën ideale e cila duhet të mishërojë të gjitha femrat vetëm me një gjest dhe Vanessa ka qenë zgjedhja e duhur. “She’s Coco”, thotë i bindur ai, duke sjellë ndërmend edhe një herë ato vlera të cilat që prej vitit 1992 e kishin pagëzuar si fytyra e shtëpisë së modës parisiane. Që nga shfaqja e saj e parë në ekran, kur ishte 20 vjeçe, Vanessa i ka qëndruar besnike stilit romantik dhe modern të “Mademoiselle”-s. Ai stil ku është frymëzuar edhe Lagerfeld për buzëkuqin e tij “Rouge Coco”. Nëse dëshironi të dukeni joshëse si Vanessa, atëherë provoni t’i lyeni buzët me buzëkuqin “Rouge Coco”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›