E Diel, 1 Nëntor 2026

Wulff: Kam bërë gabime por nuk do të largohem

“Kam bërë gabime, por dorëheqja nuk shtrohet në pyetje”, thotë presidenti federal gjerman Christian Wulff në një intervistë të dhënë të mërkurën në mbrëmje për televizionet publike ARD dhe ZDF. "Unë do të dëshiroja të bëja pas pesë vjetësh bilancin se kam qenë president i mirë dhe i suksësshëm." Ai nuk ka bërë asgjë të padrejtë, por nuk i ka bërë të gjitha si duhet. "Telefonimi i kryeredaktorit të gazetës Bild ishte një gabim i rëndë, për të cilin më vjen keq dhe kërkoj falje," thotë Wulff, në intervistën 20 minutëshe, në të cilin mbajti qëndrim mbrojtës dhe në pjesë të caktuara u duk edhe i penduar.
 

Presidenti gjerman ra nën breshërinë e kritikave, sepse është përpjekur që të pengojë raportimin për një kredi të diskutueshme private që ka marrë. Në kohën që ka qenë kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme, Wulff e ka financuar shtëpinë e tij me një kredi private të favorshme në nivelin e 500 mijë eurove, të cilën e ka marrë nga një sipërmarrëse e njohur. Lidhur më këtë çështje ai e ka informuar në mënyrë jo të plotë parlamentin e Landit.
 

Kur në muajin dhjetor Wulff mësoi se gazeta me ndikim Bild, kërkonte të publikonte historinë, ai i foli në sekretarinë telefonike kryeredaktorit Kai Diekmann. Në të presidenti federal fliste i indinjuar për hulumtimet e kredisë së tij duke e kërcënuar redaktorin përgjegjës me pasoja ligjore. Shkaku pse e ka bërë këtë ka qenë ndjenja e pafuqisë, shpjegon Wulff në intervistën televizive, e cila u transmetua në momentet më të shikuara të transmetimeve televizive. Ai e ka parë veten në ato momente si viktimë dhe ka dashur të marrë në mbrojtje miqtë.
 

Intervenimi tek kryeredaktori i gazetës Bild nuk është në përputhje me mënyrën se si e shikon ai postin e tij, pranoi Wulff, i cili ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e madhe të lirisë së shtypit në Gjermani. "Si president federal gjërat duhet të jenë nën kontroll në mënyrë të tillë që kjo të mos ndodhë. Megjithatë njeriu është njeri dhe bën gabime”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›