"Nuk do t'ua japim as Presidentin e as Kryeprokurorin"
Meta: Opozita ta harrojë kompromisin
Sipas Metës, Partia Socialiste po kërkon të bëjë pazar për të zgjidhur krizën politike
TIRANË- Propozimi i ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, dhënë në një intervistë për gazetën "Shekulli", se zgjidhja e krizës politike do të mund të realizohej përmes një kompromisi, që Partisë Socialiste t'i jepej posti i Presidentit, Kryeprokurorit dhe ai i Shërbimit Informativ Kombëtar, ka sjellë edhe reagimet e eksponentëve qeveritarë.
Nga qyteti i Korçës, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm Ilir Meta në një prononcim për mediat, deklaroi dje, me një gjuhë të ashpër se mazhoranca nuk e pranon një kompromis të tillë, dhe sipas tij, opozita nuk do të mund të ketë as postin e Presidentit dhe as atë të Kryeprokurorit. Sipas Metës, ky propozim bëhet me qëllimin, që të mbyllet kriza politike, që sipas tij nuk e ka krijuar vetë opozita pasi, ajo nuk ekziston.
Lidhur me bojkotimin që po i bën opozita Parlamentit, numri dy i qeverisë vuri në dukje se bojkoti është i pajustifikuar dhe i pamoralshëm. "Bojkoti është një turp për ata që e bëjnë, por edhe për vendin.
Natyrisht që nuk është gjë pozitive, derisa ka një opozitë që bën gjëra të tilla. Është për të ardhur keq, që nuk kanë kuptuar akoma asgjë se ku është Shqipëria sot.
Shqipëria është një anëtar i NATO-s, Shqipëria është një vend, i cili ka hyrë në një fazë të re, atë të përgatitjes për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërsa karagjozllëqe të tilla se kjo mënyrë e të dëmtuarit të demokracisë, përmes një bojkoti krejtësisht të pajustifikuar dhe të pamoralshëm, absolutisht që të jenë të sigurt nuk do t'u japim, as Presidentin, as kryeprokurorin, as kryetarët e gjykatave që i kërkojnë si pazar për të mbyllur gjoja një krizë që e kanë sajuar vet, sepse kriza nuk ekziston. Kriza është thjesht çoroditja e tyre", - tha dje Meta.
Zëvendëskryeministri solli në vëmendje gjithashtu edhe çështjen e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste që sipas tij, për të gjitha mandatet do të zbatohet Kushtetuta. Ndërsa theksoi se dialogu mes palëve politike është i mirëpritur, por sipas Metës ai është refuzuar vetëm nga kreu i PS-së, Rama. "Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ajo do të zbatohet edhe për mandatet e deputeteve edhe për pretendimet që kanë patur të bëjnë me zgjedhjet.
Është respektuar kushtetuta dhe janë konsumuar të gjitha mjetet ligjore. Dialogu është gjithnjë i mirëpritur, por ai është refuzuar vetëm nga një person. Megjithatë, kjo është çështje e tyre.
Për të gjitha çështjet do të zbatohet Kushtetuta",- u shpreh ai. Me gjithë propozimet e deritanishme nga secila anë e spketrit politik për të bashkëpunuar midis tyre, situata politike në vend vazhdon të jetë e tensionuar, kur as këtë herë, mazhoranca nuk ka pranuar të marrë parasysh sugjerimin e ardhur nga spektri opozitar për zgjidhjen e ngërçit politik.
Edhe pse pas projekt - raportit të përgatitur nga Këshilli Evropian për situatën politike në Shqipëri, u vu re një ulje e toneve të komunikimit politik midis forcave kryesore, ku u sugjerua edhe ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, por tani duket sërish se kompromisi politik është ende larg për t'u arritur.