Xhaçka: Meta, pazare me pushtetin vetëm me katër deputetë
Partia Socialiste reagoi menjëherë dje përmes deputetes Olta Xhaçka lidhur me akuzat e Metës gjatë takimeve në qytetin e Korçës. Sipas saj, pushteti nuk mund të ndahet si plaçkë lufte siç bëri ai që sot kontrollon 20% të pushtetit me vetëm 4 deputetë. “Përkundrazi, institucionet që ai përmend janë institucione të pavarura, që rrjedhin nga Kushtetuta, dhe kurrsesi nuk mund të pretendojë as Meta, apo Sali Berisha se mund t’i vërë nën thundrën e partisë-shtet, vetëm se gëzojnë shumicën parlamentare”, tha ajo. Ajo vlerësoi se Meta do të ishte kundër zgjidhjes së krizës politike, pasi ai e ka tradhtuar popullin opozitar dhe hapja e kutive është kthyer për të në makth, pasi do të nxjerrë në pah të vërtetën e mandatit të tij në Tiranë, mandat që i është vjedhur Partisë Socialiste. “Ndryshe nga Ilir Meta që flet për pazare, pasi ai e sheh politikën si pazarin e radhës, Partia Socialiste kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, respektimin e të drejtës së një populli për të vendosur lirisht përmes votës. Nuk është vetëm Partia Socialiste, por i gjithë populli opozitar që kërkon hapjen e kutive, për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të kenë të njëjtin fat që patën zgjedhjet e 28 qershorit: një qeveri që nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve”, deklaroi Xhaçka.
#