Në 2010-n, Tirana me më pak rrugë të reja
Buxheti për infrastrukturën tkurret me 40%. Vendorët fajësojnë ndërhyrjet e qeverisë qendrore
Këtë vit, në kryeqytetin shqiptar do të ketë më pak rrugë të reja, por edhe më pak rikonstruksione të atyre ekzistuese. Kjo, për shkak të buxhetit më të ulët që pritet të ketë këtë vit në dispozicion infrastruktura rrugore e Tiranës. Në projektbuxhetin e vitit 2010, të hartuar nga specialistët e Bashkisë së Tiranës, bëhet e ditur se investimet në infrastrukturë do të ulen me 40 për qind në raport me një vit më parë.
“Për vitin 2010 ky program do të financohet në shumën prej 1.472.447.389 lekësh, ose 19.5 për qind të totalit të shpenzimeve. Ky program për vitin 2010 ka pësuar një ulje në masën 40 për qind”, thuhet në draftin e projektbuxhetit, që tashmë ka nisur të vlerësohet në mënyrë të detajuar nga të gjitha komisionet e këshillit bashkiak kryeqytetas. Financimi i këtij buxheti, theksojnë përfaqësuesit e vendorëve kryeqytetas, do të realizohet duke përdorur jo vetëm fondet e të ardhurave të bashkisë, por edhe fondet nga kreditë dhe grantet që do të përthithen apo ofrohen ndaj Bashkisë së Tiranës.Sipas përfaqësuesve vendorë, Bashkia e Tiranës për të siguruar shërbimet bazë që janë funksion i saj i drejtpërdrejtë, ku përmendet pastrimi i qytetit, është e detyruar të shkurtojë kryesisht shpenzimet kapitale në infrastrukturë. Ndërkohë që duke tentuar të lënë mënjanë pesimizmin, hartuesit e buxhetit bashkiak pohojnë se pavarësisht shkurtimeve të fondeve përsëri ndërhyrjet në këtë program do të orientohen për realizimin e funksioneve të mirëmbajtjes së rrugëve, trotuareve, sistemit të ndriçimit, sistemim-asfaltime të rrugëve, ndërtim të rrugëve të reja, ndërhyrje në blloqe banimi, mirëmbajtje të thella etj. Kjo, në përputhje me kërkesat dhe opinionet e qytetarëve.Ndërhyrje të parashikuara këtë vit në infrastrukturën nën dhe mbi tokësore janë kryesisht ato në blloqet e banimit. Këtë vit pritet të përfundojë puna në blloqet nr. 45, 61, 22, 51, 79, 63 dhe 59. Po kështu pritet të ndërhyhet edhe në kolektorin e Selitës.
Ndërtimi i unazës së madhe dhe mbikalimi te shkolla teknologjike mbeten sërish në ambiciet kryesore të bashkiakëve kryeqytetas, pavarësisht përplasjeve me pushtetin qendror për këto projekte. Përfaqësuesit vendorë e kanë varur shpresën e financimit të këtyre objekteve në finalizimin e negociatave për kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).Një tjetër projekt infrastrukturor i këtij viti është përfundimi i punimeve për ndërtimin e urës tek shkolla teknologjike financuar me kredi nga BERZH. Në pritje mbetet edhe përfundimi i punimeve për Unazën e vogël të qytetit, por edhe këtu pengesat janë ende shumë të mëdha. Përfaqësuesit bashkiakë nuk kanë lënë pa nënvizuar faktin se “realizimi i shpronësimeve nga qeveria qendrore do të mundësonte jetësimin e projektit”. Ai ka qenë i planifikuar edhe në buxhetin e një viti më parë të Bashkisë së Tiranës, por ende nuk ka mundur të finalizohet, për shkak të përplasjeve mes vendorëve kryeqytetas dhe qeverisë qendrore. Shpronësimet vazhdojnë të mbeten të parealizuara në duart e Ministrisë së Brendshme, që ka nën varësi pushtetin lokal. Por çështja ka ngecur në godinën e INSIG-ut, që pret të privatizohet. Gjurma e segmentit të fundit rrugor të Unazës së vogël, sipas projektit fillestar, kalon pikërisht mes përmes kësaj godine. Nga ana e qeverisë nuk është gjetur ende një zgjidhje për këtë çështje.
Për reduktimin e buxhetit për infrastrukturën rrugore kryeqytetase bashkiakët fajësojnë drejtpërdrejt qeverinë, që sipas tyre ka bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, duke cenuar autonominë financiare të këtij institucioni.
Në këto shkelje ata përmendin konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror, ligje dhe akte nënligjore të miratuara nga qeveria, të cilat janë të papajtueshme me Kushtetutën dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke gjeneruar konflikte kushtetuese. Po kështu edhe kufizimi i instrumenteve financiare, fiskale dhe rregullatore që mundësojnë një ushtrim autonom dhe real të funksioneve.
“Njësitë vendore sot kanë më pak autoritet në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe më pak burime financiare se sa në vitin 2005”, shprehen përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Ata vërejnë se gjatë qeverisjes “Berisha” decentralizimi fiskal është fusha që ka pësuar deformimet më të mëdha, si në kufizimin e burimeve të veta lokale ashtu edhe në ndërhyrjen direkte në autoritetin dhe kompetencën për të gjeneruar të ardhura. Këtu ata përmendin veçanërisht ligjin “për sistemin e taksave vendore”, si dhe atë “për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
#