Xhaçka në Londër: Mbretëria e Bashkuar, angazhim në rajon

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, organizuar në Londër nga Sekretarja e Shtetit për Punët e Jashtme, Elizabeth Truss.
Në këtë takim janë ftuar të marrin pjesë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe Sir Stuart Peach, i Dërguar i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë dhe perspektiva euro-atlantike e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të pranishmit do të rikonfirmojnë vullnetin për një bashkëpunim më të ngushtë të vendeve të rajonit tonë me partnerët amerikane dhe europianë, me qëllim forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe prosperitetit në Ballkan.
“Diskutim shumë interesant me kolegët e Ballkanit Perëndimor dhe sekretaren Truss në Londër. Mirëprita angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në rajon. Presim të bashkëpunojmë ngushtë në të ardhmen për të avancuar stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Xhaçka në një reagim në Twitter.