E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlora nuk shënon me Adën, humbet edhe dy pikë në shtëpi

Nga Vlora, Elton Nika

Vlonjatët kanë shpërdoruar një tjetër mundësi në fushën e tyre, ku kanë barazuar pa gola, rezultat që nuk bën punë për objektivin

Vlora Ada  0-0

Vlora: Sadikllari, Kaçani, Zholi, Myderizi, Gjika, Hoxha, Xhelili, Hazizi, Dalipaj (Veshaj 72), Prifti, Cerova. Trajner: G.Mezani.

Ada: Dervishaj (Fishta 61), Isufi, Tota, Arra, Rrustja (Çaku 81), Doçi, Gokaj, Ferlushkaj, Murati, Lifja (Puka 56),Përfati. Trajner: S.Nikaj.

Gjyqtarë: A.Koçi, F.Lamaj, E.Velo (Durrës)

Kartonë të verdhë: Myderizi, Gjika, Hazizi, Fishta, Gokaj

Një tjetër mundësi e humbur për Vlorën, që në stadiumin Flamurtari ka barazuar pa gola me Adën. Është përsëritur historia e ndeshjes me Gramshin, ku vlonjatët nuk shkuan më shumë se barazimi, duke lënë kështu 4 pikë në dy ndeshjet e fundit në shtëpi. Janë gabime që në fund të kampionatit mund të kushtojnë shumë për Vlorën, që gjithsesi ka shpresa për qëndrimin në kategorinë e parë nëpërmjet ndeshjes shtesë. Ishte konsideruar shumë e rëndësishme kjo ndeshje, ku vendësit kanë pasur disa mungesa dhe trajnerin Haxhiaj të dënuar. Pavarësisht përpjekjeve, goli nuk ka dalë dhe vlonjatët kanë marrë vetëm një pikë. Nga ana tjetër, Ada ka luajtur kryesisht në mbrojtje, duke i besuar kundërsulmit për të bërë ndonjë surprizë.

Vlora e nis lojën në sulm, por nuk ka rrezikshmëri në zonën kundërshtare. Mesfushori Hoxha bën gjuajtjen e parë, por pa problem për portierin Dervishaj. Një mundësi të mirë do të kenë miqtë në minutën e 28-të, kur gjuajnë tri herë radhazi brenda zonës vlonjate, por as Përfati dhe as Gokaj nuk arrijnë ta kalojnë portierin Sadikllari.

Kaçani i ka të gjitha mundësitë ta kalojë Vlorën në epërsi, por, edhe pse i vetëm përballë portierit të Adës, godet shumë lehtë. Me rezultatin 0-0 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën shfaqet një Vlorë më agresive, që e zhvendos lojën në gjysmëfushën e Adës. Miqtë përpiqen me ndonjë kundërsulm, por më shumë mbrohen, me synimin për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.

Në minutën e 58-të Hazizi është pranë golit, por topi i gjuajtur nga mesfushori vlonjat përfundon në traversë. Ada humbet Dervishaj, që dëmtohet dhe në vend të tij futet Fishta. Vlora vazhdon të bëjë presionin ndaj kundërshtarit, duke e kërkuar me ngulm golin e fitores, por arrin të finalizojë. Minutat e fundit janë vetëm të vlonjatëve, që krijojnë raste para portës kundërshtare, që mbetet e paprekur deri në fund.

Pas përfundimit të ndeshjes ka tension, kryesisht nga drejtuesit e Vlorës, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer nga ky barazim. Një rezultat që i rëndon më shumë pozitat në renditje dhe pakëson shpresat për mbijetesë, duke parë edhe kalendarin në vazhdim. Vlora do të luajë me Kukësin dhe Elbasanin dy javët e ardhshme. Ada ka marrë atë që ka kërkuar në Vlorë, një pikë.

Trajnerët

Gentian Mezani, zv/trajner i Vlorës: Pas ndeshjes ka qenë shumë i mërzitur dhe nuk është prononcuar.

Samuel Nikaj, trajner i Adës: Një barazim me vlera, në një ndeshje shumë të vështirë. Kemi arritur objektivin, por në pjesën e parë kemi pasur një mundësi shumë të mirë për të shënuar. Barazimi nuk është rezultat i keq ndaj një ekipi të fortë. Ada mbetet në një pozicion të mirë në renditje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›