E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Pritet kontributi i Nanos në fushatë

Nga Tv Alsat

Fatos Nano dhe Edi Rama do të jenë përkrah njëri-tjetrit gjatë fushatës për zgjedhjet e 2009. Pritet që ish-kryetari socialist të përfshihet në fushatën e partisë më të madhe në opozitë duke qenë se do të rikandidojë sërish si deputet në listat e saj. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, tha se kontributi i Fatos Nanos është i padiskutueshëm.

“Fatos Nano është deputet i PS. Është një faktor i rëndësishëm në PS për shkak të historisë së tij dhe asaj të PS, por është edhe një realitet brenda PS, i cili nuk ka nevojë për negocim, ka nevojë thjesht për kontribut; dhe nuk ka arsye pse të mos ndodhë kështu”, - tha Xhafaj.

I ftuar në “Ora 20” në TV Alsat, Xhafaj tha se në betejën e ardhshme elektorale partia e tij do të fitojë mandatet e mjaftueshme për të krijuar qeverinë e re pa nevojën e LSI. “PS i ka të gjitha shanset që të kapë numrin minimal të domosdoshëm për të formuar qeverinë”, - tha Xhafaj.

Sipas tij, aktualisht në PS kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet dhe se më çeljen e fushatës do të bëhet prezantimi i programit, por edhe i listës së kandidatëve për deputetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›