PS: LSI-së ia votuam buxhetin e Lushnjës, të na votojë buxhetin për Tiranën
Një ditë pasi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dha shenja se nuk do të ketë tërheqje për sa i përket votimit të buxhetit të Tiranës, socialistët kanë deklaruar se ndryshimi po pengohet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Duke folur për mediet, zëdhënësja e Kryesisë së PS, Mimi Kodheli, tha se socialistët kanë votuar për buxhetin e Bashkisë së Lushnjës, e cila drejtohet nga LSI, duke pritur që kështu të bëjnë dhe këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë.
Kodheli tha se ata votuan pro buxhetit të Lushnjës, për shkak se kjo është kontrata që kishin me zgjedhjet. “Dje shqiptarët panë dy tablo qartësisht të dallueshme të raportit mes politikës e qytetarëve. Tablonë e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës, por edhe tablonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër të Sali Berishës, Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore Bashkinë e Tiranës e kryetarin e saj.
Me votën pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, ne respektuam kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë”, - tha Kodheli.
Më pas ajo ka sulmuar kryetarin e LSI dhe bashkëshorten e tij, duke theksuar se agresiviteti i tyre do ishte për t’u pasur zili dhe nga Sali Berisha.
Edhe pse lëshoi këto akuza, Kodheli bëri thirrje që aleatët të votojnë buxhetin. “Ndërsa Ilir Meta e Monika Kryemadhi, për fat të keq, e vunë edhe njëherë dje interesin e oborrit të tyre të vogël mbi vullnetin dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Tiranës, duke deformuar realitetin e shifrave të buxhetit e të fakteve të punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, me një agresivitet e mungesë vërtetësie aq të madhe, sa me siguri duhet t'i ketë pasur zili edhe Berisha me Olldashin.
Ne vijojmë t'u bëjmë thirrje aleatëve tanë të 18 shkurtit 2007, të mos vazhdojnë ta shkelin kontratën me qytetarët, duke u bërë palë kundër buxhetit të qytetit me ata që kanë 8 vjet që i turren qorrazi Bashkisë së Tiranës dhe duke krijuar me Partinë e Sali Berishës një shumicë që bie ndesh me vullnetin e zgjedhësve e me interesin e të gjithë kryeqytetasve. Kur mbeten edhe 148 ditë nga largimi i Berishës, ne mendojmë që Ilir Meta s'ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005.
Dhe jemi të bindur se kështu mendon e gjithë ajo shumicë e madhe shqiptarësh që duan ndryshimin, të cilin po e pengojnë përditë e më shumë bashkërisht Sali Berisha dhe Ilir Meta”, - tha Kodheli.
LSI: Rama nxori punonjësit në shi të mbushin gropat me zift
Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi dje atë që e quajti një skandal të radhës së Bashkisë së Tiranës. Kjo ishte dhe përgjigjja e tyre ndaj kërkesës së Partisë Socialiste për të votuar buxhetin e bashkisë më të madhe në vend. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, tha se punonjësit e bashkisë po punonin në mes të shiut për të mbushur me zift gropat e shumta në sheshin “Skënderbej”.
“Menjëherë pas takimit të LSI me mijëra qytetarë të Tiranës, anëtarë dhe simpatizantë të saj, ku drejtuesit e LSI kanë kërkuar transparencë dhe ndershmëri nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e fondeve të buxhetit për qytetarët, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës nxorën mbrëmë në orët e vona, mes një shiu të dendur, punonjësit, duke u përpjekur të mbulojnë me zift gropat e shumta të ndodhura në sheshin “Skënderbej”.
Edhe këtë herë drejtuesit e bashkisë kanë shpërdoruar kontributin e qytetarëve, që çdo qindarkë e paguar prej tyre të kthehet në shërbim, por mbrëmë ata kanë bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, duke u kujdesur më shumë për fasadë dhe demagogji sesa për të rregulluar vërtet kryeqytetin, si dhe shërbimin ndaj qytetarëve”, - thanë drejtuesit e LSI.
Sekretari Vasili u shpreh se është për të ardhur keq që ky institucion i qytetarëve të kryeqytetit, vazhdon ende të abuzojë me paratë e taksapaguesve të Tiranës. “Ky është një rast flagrant dhe i dënueshëm, sepse mbulimi i këtyre gropave të vogla me zift nuk e mbulon dot atë gropë të madhe që ka krijuar Bashkia e Tiranës nga shpërdorimi i buxhetit të qytetarëve. Kryetari i bashkisë, z. Rama, duhet të ulet me anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe të diskutojë për këtë buxhet, sepse, sikurse tha ai, buxheti është i qytetarëve të Tiranës, jo i Edi Ramës, apo i punonjësve të tjerë të administratës së bashkisë, të cilët përpiqen t’i mbushin mendjen qytetarëve duke e konsideruar votën e LSI si votë politike. Përkundrazi, LSI nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj tepër parimor dhe luajal, qëndrim ky që i shkon përshtat interesave dhe qëllimeve të komunitetit të gjerë të Tiranës”, - tha Vasili.