Xhafaj, firma me Flamurtarin pas Ohrit
Daniel Xhafaj-Flamurtari është shndërruar në telenovelën e merkatos verore të kampionatit shqiptar. Pas mosmarrëveshjeve të shumta në lidhje me kontratën e re, duket se lojtari është bindur që t’i bashkohet skuadrës, por përkohësisht, pasi ai ende nuk e ka hedhur të zezën mbi të bardhë. Xhafaj ka rënë në parim dakord me krerët e Flamurtarit, ndaj ka udhëtuar në drejtim të Ohrit për t’iu bashkuar grupit të Maganit që ka nisur në qytetin maqedonas fazën përgatitore. Në përfundim të kësaj faze, do të vijojnë edhe bisedimet mes lojtarit dhe klubit për rinovimin ose jot ë kontratës.
Andi Lila, kushton 120 mijë euro
Mbrojtësi i Tiranës dhe i kombëtares duket se ka treg kudo në Ballkan, ndaj presidenti Refik Halili nuk ka ndërmend ta lërë t’i ikë nga dora aq lehtësisht, të paktën pa nxjerrë një shumë të mirë parash nga kavajasi. Lila është i kërkuar nga tre ekipe me emër në gadishull ku Partizani i Beogradit, Dinamo e Bukureshtit dhe Liteks Loveç janë më të interesuarit për të pasur shërbimet e lojtarit-xhol në prapavijë. 25-vjeçari është aktivizuar rregullisht me kombëtaren kuqezi, ndërsa në sfidën ndaj Bosnjes u aktivizua në fraksionin e dytë të ndeshjes në një rol jo natyral. Për ish-lojtarin e Besës së Kavajës duket se ka ardhur momenti që të kërkojë një hap të madh në një kampionat më cilësor sesa ai shqiptar, por më parë klubi që do të marrë shërbimet e tij duhet të shuajë etjen e presidentit Halili, që nuk do ta lërë Lilën pa i paguar aq sa ai ka ndërmend dhe më pas ato para t’i investojë në blerje brenda për brenda kampionatit shqiptar.
Fushaj për Vajushin do 300 mijë euro
Vllaznia është i vetmi klub shqiptar që ka shitur rregullisht lojtarë jashtë kufijve gjatë këtyre sezoneve të fundit. Ai që ka përfituar ka qenë padyshim presidentin Fushaj, që në disa raste ka mundur të arkëtojë deri në 200 mijë euro për shitjen e një talenti made in Vllaznia, si në rastin e Bekim Balës. Por për Vajushin ndryshon çështja, pasi kreu i klubit shkodran ka vendosur të “vjelë” më shumë prej talentit të fundit që ka shpërthyer në Shkodër. Kështu, Armando Vajushi do t’i kushtojë klubit blerës 300 mijë euro si dhe 20% nga shitja e ardhshme që klubi blerës do t’i bëjë biondit shkodran.