Leon Çino në 3D
I frymëzuar nga libri me titull “Arka e Giada-s- Legjenda e tokës së magjepsur”, shkruar dhe ilustruar nga Daniela Fusco, muzikali i parë në versionin 3D që do të shfaqet premierë më 18 qershor në Romë, ka si protagonist balerinin shqiptar Leon Çino. Spektakli muzikal është konsideruar më i rëndësishmi i Festës së Muzikës Europiane. Balerini shqiptar dhe tenori italian do të shoqërohen në këtë muzikal edhe nga 30 artistë të tjerë, mes tyre aktorë, këngëtarë, balerinë dhe akrobatë nën koreografinë e Kristian Cellini-t. “Është një nga risitë më interesante të sezonit artistik, një spektakël muzikor krejt fantazi në 3D, që do të mahnitë publikun në gjithë Italinë” - u shpreh balerini shqiptar Leon Çino. “Arka e Giada-as” do të japë një turne në të gjithë Italinë nga muaji dhjetor. Për të gjithë të pasionuarit dhe spektatorët kureshtarë që duan të jenë të pranishëm në “pagëzimin” e muzikalit që mund të ndryshojë vetë mënyrën e konceptimit të shfaqjes teatrale, takimi është të shtunën, më 18 qershor. Leon Çino 29 vjeç është një balerin klasik që u bë i njohur në gjithë Italinë si fitues i edicionit të tretë të show më të ndjekur televiziv “Amici” të Maria de Filipit. Janë të shumtë çmimet që ka fituar dhe ofertat e pjesëmarrjet në spektakle të ndryshme kërcimi apo balete klasike, ku Leon Çino ka qenë protagonist. Gjithashtu, Çino provoi edhe shesh xhirimin, ashtu si dhe kolegu dhe bashkatdhetari i tij Kledi Kadiu. Së fundmi ka marrë një kritikë shumë pozitive në spektaklin e kërcimit “Unë dhe kërcimi”, ku ai interpreton vetveten.