E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sporti nga Bota

Maikon madrilen, nese kembehet me Serxho Ramos

Interi është gati të sakrifikojë mbrojtësin e tij të djathtë, Maikon, për të marrë në “San Siro” Serxho Ramosin. Braziliani i Interit, i cili ka qenë një prej objektivave të Murinjos që kur ky la zikaltrit një sezon më parë, dukej më afër se kurrë këtë merkato, ndërsa dy ditë më parë menaxheri i Maikonit, Roberto Kalenda udhëtoi drejt kryeqytetit spanjoll për të zbardhur detajet e negociatave. Morati i ka pasur të qarta instruksionet nga Milanoja. Interit i duhet një mbrojtës tjetër në fashën e djathtë, por që të luajë edhe si qendërmbrojtës. Dhe Serxho Ramos i përmbush të gjitha këto kritere. Ai është gati të pranojë shkëmbimin.

Reali godet serish, akord me Nejmarin

Reali i Madridit ka bërë një tjetër goditje në merkato. Media italiane e bën zyrtare arritjen e marrëveshjes mes klubit spanjoll dhe atij brazilian të Santosit për kartonin e Nejmarit. Sulmuesi 19-vjeçar, i cilësuar si “Peleja  i ri”, do të firmosë për pesë vite me madrilenët, ndërsa ka rënë dakord për një kontratë, ku do përfitojë pak më shumë se dy milionë euro në sezon. Është menaxheri i FIFA-s, Ernesto Bronzeti, ai që deklaron se klubet kanë mbyllur gjithçka tashmë. Për talentin brazilian u hodhën në sulm shumë skuadra prestigjioze, por, duket se këmbëngulja e Murinjos ka bërë që Reali të fitojë duelin. Ka mbetur ende për t’u zyrtarizuar edhe shifra që do të paguhet për kartonin e lojtarit.

Çelsi, 150 mije euro ne jave per Modriç

Çelsi është gati t’i ofrojë Luka Modriçit 150 mijë euro në javë, për të befasuar Fergusonin në merkaton e verës dhe për të sjellë në “Stamford Bridge” yllin e parë këtë sezon. Një propozim i tillë pothuajse do ta trefishonte rrogën (56 mijë euro në javë) e fantazistit të Totenhemit, i cili dëshiron të largohet nga “White Hart Lane”. Nënkampionët e Anglisë nuk kanë shpenzuar ende qindarkat e para këtë verë, ndërsa Junajtid dhe Liverpuli e kanë nisur fuqishëm merkaton. Bluve u ka munguar fantazia sezonin e fundit dhe e kanë vendosur emrin e organizatorit, i cili ka edhe 3 vjet kontratë me “gjelat” në krye të listës së dëshirave.

Te ardhmen e Vengerit do ta vendosin tifozet

E ardhmja e Arsen Vengerit në stolin e Arsenalit do të vendoset nga vetë tifozët. Një lajm të tillë e ka konfirmuar shefi ekzekutiv i “topçinjve”, Ivan Gazidhis. Ai i dha mbështetjen teknikut francez edhe një herë tjetër, pavarësisht se në vitrinën e klubit londinez mungojnë trofetë që prej 6 vitesh. Gjatë një takimi me tifozët, Gazidhis tha se nëse klubi do të vërejë që marrëdhëniet me trajnerin nuk do të kenë pikë kthese, atëherë ndarja me teknikun francez do të jetë e pashmangshme. “Por unë nuk mendoj se ne jemi në këtë fazë. Ne e mbështesim 100% Vengerin, pasi ai ka bërë një punë të mirë në këto kohë të vështira”, tha shefi i klubit.

Interi, kontakt sekret me Marselo Bielsen

Telefonata duhej të mbetej sekrete, mirëpo në botën e futbollit sekretet zgjasin pak, ashtu si trajnerët. Nga Argjentina vijnë zëra që i referohen një trajneri, madje dy trajnerëve. Gjatë kësaj fundjave presidenti i Interit, Masimo Morati, i ka telefonuar ish-trajnerit të Argjentinës dhe Kilit, Marselo Bielsës, për ta pyetur atë nëse është i gatshëm të drejtojë zikaltrit në vend të Leonardos. Presidenti i ka telefonuar personalisht teknikut argjentinas, që ndodhej në shtëpinë e tij në Rosario, megjithatë një telefonatë e vetme nuk është e mjaftueshme për të vërtetuar se Bielsa do të shkojë te klubi italian në vend të Leonardos.

Silva frikeson Milanin: Kam folur me Barçen

I ashtuquajtur si pika më e fortë e skuadrës së Alegrit dhe njeriu thelbësor në fitimin e titullit kampion, mbrojtësi brazilian Tiago Silva lëshon bombën, duke theksuar se në ditët e fundit ka pasur disa kontakte me klubin e Barcelonës. “Mund të konfirmoj se kam pasur disa kontakte me drejtues të Barcelonës. Gjithsesi, unë u kam theksuar atyre se fillimisht duhet të flasin dhe të shohin nëse bien dakord me drejtuesit e Milanit, sepse unë sapo kam rinovuar me ta deri në vitin 2016-të. Pastaj, nëse Galiani apo drejtuesit e tjerë të Milanit janë dakord që unë të largohem, do të pranoj vullnetin e tyre”, ka pohuar lojtari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›